ubt

Gazetarja Anila Hoxha ka sqaruar detaje në lidhje me dosjen e Universitetit Bujqësor të Tiranës, në sajë të së cilës SPAK lëshoi 24 masa për zyrtarët e këtij institucione, teksa katër prej tyre GJKKO sot i ka lënë në arrest me burg.

Gazetarja ka treguar se SPAK ka nisur hetimet në vitin 2022 me dyshimet për abuzimin me tenderat që ndodhin në këtë Universitet.

Ka dyshime të arsyeshme sipas dosjes thotë gazetarja, se është bërë abuzim edhe me disa dieta dhe trajnime për fermerët, ku pritet që vërtetohen nëse janë bërë ose jo këto trajnime.

“Dyshohet se ka abuzime dhe me dietat për trajnime për veterinerët. Janë përpiluar, por do të shohim a janë trajnuar në të vërtetë apo jo fermerët. ‘Fryji faturat që të fitojmë edhe ne’, thotë një prej tyre. Këto janë fonde të universitetit. Hetimi vijon ende, dhe me sa kam dijeni jo zyrtarisht, sepse po konsiderohen dhe po shikojnë të gjithë procedurat. Kulmi i hetimeve ka nisur në vjeshtë e 2022”, tha Hoxha.

Ajo tha se në mars të 2022, vetë ajo kishte realizuar një artikull investigues ku kishte nxjerrë në pah që disa pajisje që ishin blerë për laboratorët e me çmime më shumë të larta sesa qarkullojnë në treg.

“Unë publikova në mars 2022 një material investigues për një laborator të universitetit, ku për shembull një nga pajisjet shkonin 1 milion lekë të vjetra për një pajisje që në dyqanin e zakonshëm nuk bënte më shumë se 60 mijë lekë të vjetra.

10 mars 2022 ishte një projekt i AKKSHI, për kërkim shkencore dhe inovacion, për sigurinë ushqimore. Një blender ishte blerë 600 mijë lekë të vjetra, janë blerë dy shtrydhës frutash 1200 mijë lekë të vjetra. Ka dhe një dollap që quhet si tip frigoriferi por nuk ka asgjë, është krejt i zakonshëm… ishte 1728 mijë lekë të vjetra. Dhe tenderat që janë këtu janë për reagentë për laborator.

Kam përshtypjen se pas këtij publikimi ka pasur reagim nga institucionet që kanë marrë kohën e tyre dhe më pas në shtator kanë kulmuar me sekuestrim telefonash. Këto janë dyshime deri tani të arsyeshme. Indicet SPAK i ka marr nga policia dhe krimi financiar.

Rektori i universitetit është vëzhguar nga agjentë të BKH kur kërkohet një takim me një nga subjektet pretenduese, ku kërkohet takimi për të folur për detaje, pra ka pasur edhe përgjime edhe ambientale”, tha ajo.