Tregu i qirasë ditore gjeneroi 45,5 milionë euro të ardhura për janar-shtator 2023, vetëm nga pronat e listuara në platformën AirBnb. Numri i pronave për qira ditore në Booking dhe AirBnb në muajin shtator arriti në 24,902. Deri në korrik, sipas të dhënave të Tatimeve, ishin të regjistruara 3,318 struktura. Por, zgjerimi i vrullshëm i sektorit po rrit çmimet e qirasë afatgjatë dhe po “godet” edhe hotelerinë, ndërsa rrezikon të bëhet i paleverdishëm, pasi për shkak të ofertës së lartë, qiratë ditore po bien ndjeshëm. Tatimet kanë ndërmarrë nismën për formalizimin e qiradhënies ditore. Sa të ardhura pritet të arkëtohen

Aktiviteti për dhënie apartamentesh me qira ditore po bëhet gjithnjë e më i kërkuar nga viti në vit. Numri i strukturave akomoduese në tregun e qirasë afatshkurtër u shtua ndjeshëm edhe përgjatë 2023-it.

Kërkesa e lartë veçanërisht nga turistët e huaj dhe çmimet shumë herë më të ulëta se hotelet, sipas agjentëve imobiliarë janë faktorët kryesorë që ndikojnë për lulëzimin e këtij sektori.

Zonat bregdetare ku ka pasur zanafillën ky model biznesi këtë vit patën shtim të kërkesës për apartamente me qira ditore gjatë periudhës së verës.

Fluksi i lartë i turistëve të huaj dhe perspektiva afatgjatë për shtim të numrit të tyre, ka nxitur shumë pronarë apartamentesh t’i kthejnë pronat e tyre në biznese për dhënie me qira ditore, apo të blejnë prona ose t’i marrin me qira për këtë qëllim, duke rrezikuar krijimin e mbiofertës në tregun e qirasë ditore.

Sipas ekspertëve të pasurive të paluajtshme tashmë tregu ka mbiofertë dhe kjo ka detyruar shumë prej pronarëve ulin çmimet në tarifa shumë herë më të ulëta krahasuar me çmimet e qirave ditore të disa prej qyteteve europiane.

Në muajin shtator 2023, numri i strukturave me qira ditore në dy platformat ndërkombëtare Booking (sipas kërkimeve të “Monitor”) dhe AirBnb (sipas të dhënave të AirDNA që analizon statistikat për strukturat me qira ditore në platformën Airbnb) arriti në 24,902 apartamente/banesa.

Numri i pronave të listuara të disponueshme për muajin shtator 2023, sipas të dhënave të AirDNA për platformën AirBnb, të bëra publike për “Monitor” ishte 15,512 prona.

Krahasuar me muajin shtator 2022, pronat e listuara për dhënie qiraje u rritën me 25%. Oferta për prona me qira ditore mbeti e lartë në muajin shtator 2023, krahasuar me rënien që pësuan pas verës së 2019-s. Pronat e disponueshme në muajin shtator u shtuan me 120% në raport me shtatorin e para pandemisë.