Yoshua Bengio është njëri nga tre “kumbarët” e Inteligjencës Artificiale (AI). Por nuk ka entuziazmin e fillimit.
Në një intervistë me BBC, Bengio shprehet se po ta dinte se sa shpejt do të zhvillohej Inteligjenca Artificiale, do të kishte bërë prioritet të punës së vet sigurinë mbi dobinë e saj.
“Mund të thuhet se ndihem i humbur,” tha Bengio. “Por duhet të vazhdoj përpara, të angazhohem, të diskutoj dhe të inkurajoj të tjerët të mendojnë me mua.”
Komentet e shkencëtarit kanadez të kompjuterave vijnë pasi ai nënshkroi një letër të hapur bashkë me një grup drejtuesish të kësaj industrie, që paralajmëron “rrezikun e zhdukjes së njerëzimit” që paraqet AI, së bashku me bashkëkumbarin e Inteligjencës Artificiale, Geoffrey Hinton, i cili kohët e fundit la punën e tij në Google pasi erdhi në një konkluzion të ngjashë
Një nga shqetësimet e Bengio-s për momentin është mundësia që “aktorë të këqinj” mund të abuzojnë me Inteligjencën Artificiale.
“Mund të jetë një ushtarak, mund të jetë një terrorist, mund të jetë një individ shumë i zemëruar, psikotik”, tha Bengio për BBC. “Pra, nëse është e lehtë t’i programosh këto sisteme të Inteligjencës Artificiale për t’u kërkuar atyre të bëjnë diçka shumë të keqe, kjo mund të jetë shumë e rrezikshme.”
Bengio thekson se qeveritë duhet t’i monitorojnë kompanitë që zhvillojnë Inteligjencën Artificiale në të njëjtën mënyrë që monitorojnë çdo sektor tjetër si ndërtimi i aeroplanëve, makinave ose farmaceutikëve.
Për ta bërë këtë në mënyrë efektive, ai propozon që njerëzit të cilët punojnë në këto sisteme të Inteligjencës Artificiale t’i nënshtrohen njëfarë certifikimi në formën e “trajnimit etik”.
Zakonisht nuk është kurrë mirë kur shpikësit pionierë e krahasojnë punën e tyre me bombën atomike. Megjithatë, Bengio dhe Hinton e kanë bërë në intervistat e tyre përkatëse.
Por “kumbari” i tretë i mbetur, Yann LeCun, me sa duket nuk është i bindur se Inteligjenca Artificiale përbën një kërcënim ekzistencial për njerëzimin, pasi ai është i vetmi nga treshja që nuk ka nënshkruar deklaratën, madje është një kundërshtar i zëshëm i një moratoriumi të propozuar për zhvillimin e Inteligjencës Artificiale.
Megjithatë, Bengio mendon se sfida është e kapërcyeshme.
“Asnjëherë nuk është vonë për t’u përmirësuar”, thotë ai në intervistë. “Është saktësisht si ndryshimi i klimës. Ne kemi hedhur shumë karbon në atmosferë. Dhe do të ishte më mirë nëse nuk do ta kishim bërë, por le të shohim se çfarë mund të bëjmë tani”.