Xhelal dhe Flamur Rraja vëllezërit e deputetit socialist, Rrahman Rraja janë në kërkim nga Policia e Shtetit, pas dhunimit të kushërinjve Maja në Borizanë të Fushë Krujë, ngjarje e ndodhur ditën e djeshme.

Policia njoftoi se kishte shoqëruar në Komisariatin e Krujës dy vëllezërit Rraja, të deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja. Ndërsa shtonte se kishte shpallur në kërkim dy të tjerë.

Në njoftimin e thelluar, Policisë i kanë “humbur” vëllezërit e deputetit, madje i ka shpallur edhe në kërkim. Përse ka ndodhur ndryshimi i deklaratës, ose përse u liruan dy vëllezërit Rraja ende nuk dihet.

Policia nuk ka dhënë asnjë informacion për lirimin e tyre, që u ndryshua menjëherë pa publikimit të videos me imazhe të rënda të dhunës ndaj disa qytetarëve që kërkonin të drejtën e tyre për mosdëmtimin e banesave nga gurorja e fisit Rraja.

Për këtë ngjarje ka reaguar edhe gazetari i njohur, Blendi Fevziu i cili shkruan se këta indidvidë i kanë hapur luftë shoqërisë dhe padyshim ndaj shtetit të cilit sipas gazetarit, këta njerëz as e kanë frikë dhe as e kanë në llogari.

Postimi i gazetarit Blendi Fevziut:

Pamjet e kesaj videoje te tmerrshme qe jane publikuar dje (dhe qe nuk po i ripublikoj te plota per hir te etikes dhe rregullave te Instagramit), nuk jane thjeshte nje akt dhune. As nje sherr banal.

Jane sfide ndaj qytetarit, ndaj shoqerise dhe padyshim ndaj SHTETIT te cilin duket hapur qe keta njerez as e kane frike dhe as e kane ne llogari.

Me shume duket se trembet shteti nga keta persona se sa ata nga policia dhe drejtesia. Imazhe si keto e demtojne Shqiperine me shume se sa cdo gje tjeter.

Çfarë ndodhi ditën e djeshme:

Deri tani për dhunën brutale që anëtarë të fisit Rraja ushtruan drejt dy kushërinjve, Bilbil dhe Jashar Maja janë arrestuar 4 persona, ndërsa 4 janë shpallur në kërkim mes tyre dhe dy vëllezërit e deputetit socialist të Krujës, Flamur dhe Xhelal Rraja.

Shkak është bërë një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit, i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për këtë aktivitet. Kushërinjtë Bilbil e Jashar Maja ishin ankuar se shpërthimet gjatë punimeve në gurore, po u shkatërronin banesat e tyre por dhe të zonës përreth, 200 metra në vijë ajrore nga gurorja.

Mesditën e së enjtes ata ishin në lokal me inxhinierin e gurores për ti kërkuar që shpërthimet të ishin më të kontrolluara pasi po u dëmtoheshin banesat, kur grupi i dhunuesve mësyu lokalin dhe ata bëhen prehë e një dhune barbare.