Bledi Çuçi ka reaguar për herë të parë pas shkarkimit nga posti i Ministrit të Brendshëm.

Përmes një komunikate për mediat, Çuçi shpreh falënderimet për kryeministrin Edi Rama që i besoi dhe e mbështeti gjatë detyrës, si dhe i uron suksese në këtë post ministrit të ri, Taulant Balla.

Çuçi thotë se gjatë dy viteve e gjysmë si ministër i Brendshëm ka adresuar shumë sfida në lidhje me sigurinë dhe rendin publik, por nuk përmend rastin e fundit të dhunës në Krujë që çoi në shkarkimin e tij.

Reagimi i plotë i ish-ministrit Çuçi:

Falënderoj kryeministrin Rama për besimin dhe mbështetjen që më ka dhënë këto dy vite e gjysmë në detyrën e vështirë të Ministrit të Brendshëm. Për mua ka qenë nder dhe përgjegjësi e madhe të ushtroja këtë funksion të lartë publik dhe shumë të rëndësishëm.

Prej ditës së parë kur e mora atë detyrë e deri më sot kam punuar e shërbyer me integritet dhe bashkë me skuadrën e Ministrisë së Brendshme kemi adresuar shumë sfida që lidhen me sigurinë, rendin publik,  emigracionin, gjendjen civile dhe pushtetin vendor.

Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë ata që ishin krah meje në këtë rrugëtim sfidues.

Suksese Taulantit në sfiden e re, për të vijuar me reformat transformuese në këtë ministri e veçanërisht në Policinë e Shtetit.