Vëllai i ministres së Bujqësisë Frida Krifca ka pasur marrëdhënie tregtare me kompaninë “Integrated Energy BY SPV”, përfituese e koncesionit të inceneratorit të Tiranës. Denoncimi bëhet nga deputetja e PL-së Monika Kryemadhi, e cila ka publikuar një dokument, në të cilin tregohen transaksionet.
Sipas shkresës së postuar nga Kryemadhi në FB, “Integrated Energy” ka depozituar një shumë monetare prej 5.000.000 Lekësh në një firmë e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit si “Person Fizik”. Kompania në fjalë (me NIPT K31424025R) ka si pronar të vetëm të vëllanë e ministres së Bujqësisë, Kastriot Krifca.
Referuar të njëjtit dokument, shuma monetare është depozituar nga kompania e inceneratorit te ajo e Kastriot Krifcës për dy fatura (e para në 31 Janar 2019 dhe e dyta në 12 Shkurt 2019) – bëhet fjalë për blerje që “Integrated Energy” ka bërë të firma e vëllait të ministres.
Në vitin 2017, “Integrated Energy” fitoi kontratën 128 milionë euro për landfillin dhe inceneratorin e Tiranës. Sipas hetimeve të SPAK, pas kësaj kompanie qëndrojnë Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, ashtu si dhe në rastin e firmave që kanë përfituar kontratat koncesionare të inceneratorëve të Elbasanit e Fierit.
Në komentin që shoqëron dokumentin, Kryemadhi sjell në vëmendje se kur Frida Krifca ishte në krye të AZHBR-së, një kompani e lidhur me firmën përfituese të koncesionarit të inceneratorit të Tiranës, ka përfituar fonde.
“Nga sot e në vijim Qeverinë shqiptare do ta quajmë Qeveri e Dardhave, ose Qeveri totalisht e paaftë. Këtë e ndajnë shqiptarët në zgjedhjet e radhës, që mund të jenë edhe më shpejt sesa parashikimi. Po si more, dy metra KM, paska ngrënë dardha edhe Frida pas kurrizit tënd?! Po si shpjegohet, që e gjithë Qeveria përlyhet e përzihet me Inceneratorët? Po si shpjegohet, që i kanë kaq shumë qejf plehrat, aq sa nuk lanë familjar pa u përzierë me to?! Rastësi e çuditshme?! Po sa qejf i paska patur dardhat kjo qeveri mor aman. Dhe për ata që kanë interes për foton, aty tregohet sesi vëllai i Ministres së Bujqësisë, “bente biznes” me inceneratorin e Tiranës, në kohën kur motra e tij aprovonte fonde për serën tek inceneratori i Tiranës”, shkruan ajo.
Boldnews