Policia Kufitare e Vlorës po vijon me kontrollet e shtuara për mjetet lundruese. Mësohet se së fundmi, nga Ksamili në Vlorë janë bllokuuar 14 mjete lundruese, mes tyre skafe, gomone dhe Jet Ski.

Sakaq, drejtuesit e mjeteve janë gjobitur me masa administrative ‘marramendëse’, duke mbrojtur kështu sigurinë e pushuesve.

Njoftimi i Policisë:

Në të gjithë hapësirën ujore të qarkut Vlorë, grupe kontrolli nga Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare vijojnë verifikimet ndaj mjeteve lundruese, me qëllimin e vetëm parandalimin e incidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e pushuesve.

  • Nga Ksamili në Vlorë, Policia Kufitare ka bllokuar 14 mjete lundruese.
  • Mjetet e bllokuara: 5 Jet Ski, 3 gomone dhe 6 skafe.
  • 6 mjete lundruese, nga të cilat 2 Jet Ski, 3 gomone dhe 1 skaf, u bllokuan në Ksamil, Dhërmi, Jalë dhe Vlorë. Krahas masës së bllokimit, pronarët e këtyre mjeteve janë ndëshkuar secili me masën administrative 100 000 lekë të rinj, pasi janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare, brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e plazhistëve.
  • Drejtuesi i 1 mjeti lundrues skaf është ndëshkuar me masën 200 000 lekë të rinj, ndërsa drejtuesi i 1 tjetër mjeti lundrues skaf është ndëshkuar me masën 80 000 lekë të rinj, për shkelje të perimetrit të sigurisë dhe transport të qytetarëve mbi kapacitetin e lejuar.
  • 6 mjete të tjera lundruese, nga të cilat 3 Jet Ski dhe 3 skafe, u bllokuan dhe secili nga pronarët e mjeteve lundruese u ndëshkua me masën administrative 10 000 lekë të rinj, për mungesë dokumentacioni.
  • Nga këto, 7 masa administrative janë vendosur me vlerë totale 700 000 lekë.