Të ardhurat e aeroportit të Tiranës u rritën me 48.5 për qind vitin e kaluar duke arritur në 8.3 miliardë lekë (80 milionë euro), teksa rritja e turizmit dhe fluksi i lartë i pasagjerëve e ka shndërruar biznesin e aeroportit në një minierë ari.

Të dhënat nga bilanci zyrtar që TIA dorëzoi në Qendrën Kombëtare të Biznesit tregojnë se vitin e kaluar fitimi para taksave, i kompanisë që ka koncesionin e aeroportit, kërceu në 3.62 miliardë lekë (35 milionë euro) duke u rritur me 65.3 për qind krahasuar me vitin 2021.

Vitin e kaluar aeroporti i Rinasit përpunoi mbi 5 milionë pasagjerë. Por këtë vit shifra vlerësohet se do të rritet sërish në nivelin 30-40 për qind duke e bërë Rinasin një nga aeroportet me rritjen më të madhe në Europë.

Një makineri parash

Aeroporti i Rinasit zotërohet nga grupi Kastrati. Në dhjetor të vitit 2020, Shefqet Kastrati e bleu koncesionin e aeroportit nga një kompani e quajtur “Real Fortress Private Limited” për një çmim total prej 71 milionë eurosh.

Vetëm për dy vjet nga blerja, koncesioni i aeroportit ka prodhuar 54 milionë euro fitime para taksave. Çmimi i paguar nga Kastrati për blerjen e aeroportit mund të jetë shlyer tërësisht ndërkohë, teksa të dhënat zyrtare se fluksi i pasagjerëve ka qenë rekord edhe në gjysmën e parë të këtij viti.

Kjo e bën blerjen e aeroportit një nga investimet më të arta në Shqipëri me kthim 100 për qind të investimit për vetëm 2 vite e gjysmë, pa përfshirë të ardhurat e tjera dytësore që burojnë nga ky koncesion si qiratë e duty free-ve apo shërbimet e tjera mbështetesë duke përfshirë parkingjet.

Kompania është angazhuar të kryejë dhe 100 milionë dollarë investime për zgjerimin dhe përmirësimin e aeroportit. Megjithatë ajo ka të drejtën e koncesionit për operimin e Rinasit deri në vitin 2040, pasi qeveria shqiptare e e zgjati dhe me 13 vite të tjera koncesionin pa garë, menjëherë pas shitjes së tij nga kinezët tek grupi Kastrati.

Me këto tregues financiarë, Aeroporti Nënë Tereza është në podin e bizneseve më fitimprurëse në Shqipëri dhe parashikohet të qëndrojë aty për shumë gjatë.

Vitin e kaluar kompania regjistroi një fitim para taksave sa 43 për qind e xhiros, që do të thotë se në çdo 100 lekë që arkëton, 43 lekë janë fitim direkt për kompaninë koncesionare. Me pak fjalë një makineri parash, që do ta kishte zili çdo monopol. /oligarkia