Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri duket se do të qëndrojë në qelitë e paraburgimit dhe me gjasë do të humbë mundësinë për t’u betuar. Kjo, pasi faksimilet e dosjes së Prokurorisë së Posaçme kundër tij, tregojnë se Fredi Beleri është në një pozitë fort jo të favorshme.
SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i cili dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit u arrestua për blerje votash. Hetimet janë mbyllur edhe për bashkëpuntorin e Belerit, Pandeli Kokaveshin.
Nga hetimet e kryera nga SPAK rezulton se Beleri i ka ofruar shtetasit Arsen Rama shumat monetare prej 50 euro për çdo person që do të gjente Arseni, që do votonte për Belerin si kandidat për kryetar të Bashkisë Himarë, në zgjedhjet vendore të datës 14.05.2023.
Vetë shtetasit Arsen Rama, Beleri i ka premtuar si shpërblim për shërbimin që do të kryente shumën 300 euro.
Media Ditari ka zbardhur përgjimet të cilat kanë “fundosur” Fredi Belerin. Beleri bisedon me informatorin dhe i premton 50 euro për 13 vota që të nesërmen dhe 300 euro për vetë informatorin nëse votat do të dilnin në kuti. Informatori i thotë që të mos shqetësohet se i ka votat e sigurta dhe se ai do të dalë garant për to.
Akuza e SPAK për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës
Nga analiza një nga një dhe në unitet e provave të administruara gjatë hetimit, sikurse janë të dhënat e përftuara nga përgjimet audio/video, nga kqyrjet e telefonave, nga kqyrjet e akteve të ekspertimit kompjuterik, nga deklarimet e personave që kanë dijeni për veprën penale etj, rezulton se është e provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm që i pandehuri Dhionisios Alfred Beleri i ka ofruar shtetasit Arsen Rama shumat monetare prej 50 euro për çdo person që do të gjente Arseni, që do votonte për Belerin si kandidat për kryetar të Bashkisë Himarë, në zgjedhjet vendore të datës 14.05.2023, ndërsa vetë shtetasit Arsen Rama i ka premtuar si shpërblim për shërbimin që do të kryente shumën 300 euro.
I pandehuri Dhionisios Alfred Beleri ia ka dhënë shumat monetare Arsenit nëpërmjet të pandehurit tjetër Pandeli Kokaveshi, i cili ka qenë bashkëpunëtori i tij në kryerjen e këtij akti korruptiv dhe ky i fundit i ka dhënë shtetasit Arsen Rama tetë kartëmonedha të prerjes 5 000 lekëshe për tetë persona që do votonin në favor të shtetasit Dhionisios Alfred Beleri.
Në rastin konkret të pandehurit e kanë kryer veprën penale me veprime aktive të kundërligjshme në dy forma të saj, si nëpërmjet premtimit dhe ofrimit të shumave monetare shtetasit Arsen Rama në mënyrë që ky i fundit të ndikonte tek vullneti i qytetarëve të tjerë për të siguruar vota në favor të të pandehurit Dhionisios Alfred Beleri në zgjedhjet vendore të datës 14.05.2023.