Biznesi ka shqetësime dhe divergjenca të forta me qeverinë. Paraditen e sotme kryeministri i mblodhi në një takim për t’i dëgjuar dhe u premtoi se do të hiqte burokracitë. Por në mes të takimit i njoftoi se nga viti tjetër do të vendoset një çmim reference për hotelet për të shmangur evazionin.
“Të gjitha hotelet vitin e ardhshëm do të kenë çmim reference. Ne kemi 1.1 milion turistë në shtator dhe ne me këtë trend mund të kapim 10 milionë turistë këtë vit, por varet si do të jetë dhjetori. Shohim të ardhurat nga hotelet dhe shifrat e turistëve, nuk korrespondojnë.
Si për shitjen e apartamenteve dhe dhomave nëpër hotele nuk shohim asnjë rrugë veçse t’u themi, që bazuar tek tregu dhe sondazhet e tatimeve që “JO” nuk e pranojmë që t’ju marrim juve, TVSH-në 6% për këtë shifër që na jepni ju, ne do ua marrim për këtë shifër që ua thotë tregu dhe ju do na e jepni. Këtë bisedë e kishim për sot pasdite për turizmin” tha ai.
Gjithashtu tha se taksa 3% e ndërtuesve për shtresat në nevojë, të pastrehët do të merret jo ku të duan ata, por në vendin që ndërtohet. Gjatë bisedës njëri nga anëtarët e shoqatës së ndërtuesve në Tiranë kundërshtoi futjen në fuqi të ndryshimit të çmimeve në mes të vitit fiskal, bazuar te referenca e re.
“Kjo të falimenton se me çmimet e reja të referencës në mes të një viti fiskal duhet të paguash dyfish dhe kjo të falimenton. Plus, pse duhet të kontribuojmë vetëm ndërtuesit për të pastrehët, po të tjerët? Pse jo operatorët e tjerë?
Të gjithë bizneset jetojnë në Shqipëri dhe jo vetëm ndërtuesit. Të ndryshosh taksën në mes të vitit a është normale? Nuk kundërshtojmë çmimin e referencës, por ndryshimin e taksës në mes të vitit. Ne e kemi filluar lejen në janar, leja është zgjatur, ne jemi të përgatitur, por jo për dyfishimin e çmimit” tha ai. Por Rama ndërhyri dhe qeshi në mënyrë ironike me shqetësimin e sipërmarrësit.