Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka njoftuar se në vendin ku grupi terrorist e sulmoi Policinë e Kosovës para dy javësh, kanë gjetur dokumentin personal dhe veturën e Milorad Jevtiç, i cili, sipas tij, njihet si bashkëpunëtor i afërt i Danilo Vuçiç, djalit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
Sveçla tha se në 5 vizitat e fundit të djalit të Vuçiçit në Kosovë, ai kishte qenë me atë veturë.
“Në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur sulmi, njësitet policore kanë gjetur dokumentin personal dhe veturën e Milorad Jevtic gjë që dëshmon se ai ka qenë në njësitin që kanë sulmuar Policinë e Kosovës. Terroristi Milorad Jevtic njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Danilo Vuciq, djalit të presidentit serb Aleksandar Vuciç. Nga 5 vizitat e fundit të djalit të Vuciçit në Kosovë, 4 herë ata kanë qenë bashkë në të njëjtën veturë,” shkroi Sveçla në Facebook.
Milorad Jevtiç, sipas Sveçlës, është identifikuar edhe si njëri ndër sulmuesit e ushtarëve të KFOR-it më 29 maj në Zveçan.
“Mbetet që organet e sigurisë dhe hetimet të zbulojnë se përveç Vuçiqit dhe strukturave të larta shtetërore serbe, a ka qenë edhe djali i tij në planifikimin dhe organizimin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit,” shton Sveçla.
“Dy javë pas sulmit terrorist në Banjska, vijojmë me zbardhjen e fakteve që vërtetojnë lidhjen direkte të Serbisë në organizimin dhe realizimin e këtij sulmi,” shkroi Sveçla.