Për Izraelin, zgjidhja e luftës kundër Hamasit kalon në tre faza shumë të dallueshme: “spastrimi” i zonave të sulmuara, pushtimi tokësor i Rripit të Gazës dhe çrrënjosja e liderëve dhe anëtarëve të Hamasit.
Sipas asaj që u rindërtua në gazetën izraelite “Haaretz” nga analisti Anshel Pfeffer, lufta që shpërtheu në orën 06:30 të datës 7 tetor, me lëshimin e 5000 raketave nga Palestina kundër shtetit hebre, do të jetë e gjatë.
Faza e parë
Faza e parë e planit të Izraelit konsiston në krehjen e zonave të sulmuara dhe gjetjen dhe vrasjen e terroristëve që arritën të depërtojnë në territor, pavarësisht murit të ndërtuar në kufirin me Palestinën. Kjo, është gjithashtu e nevojshme për të lejuar identifikimin dhe varrosjen e njerëzve të vrarë, deri më sot mbi një mijë.
Faza e dytë
Në hapin e dytë, duhet të planifikohet dhe kryhet një sulm tokësor në Gaza. Tanket kanë rrethuar Rripin 42 kilometra të gjatë dhe 8-9 të gjerë. Rreth 300 mijë ushtarë po grumbullohen rreth zonës. Ndërkohë, objektivi do të ishte zhvendosja e popullatës palestineze drejt jugut përmes bombardimeve.
Faza e tretë
Faza e tretë, së fundmi, konsiston në identifikimin dhe eliminimin e liderëve dhe anëtarëve të Hamasit, ndaj të cilëve, siguron ushtria izraelite, nuk ka më tolerancë, sepse, sipas fjalëve të kryeministrit, është “si ISIS”.
I intervistuar nga gazeta “New York Times”, një gjeneral izraelit nënvizoi se “është një nivel brutaliteti që nuk e kemi parë kurrë që kur u themelua Izraeli. Tani ne duhet të ndryshojmë të gjithë doktrinën në lidhje me Gazën. Hamasi nuk mund të ekzistojë më”.
Nuk ka tolerancë me armiqtë në kufi
Jo vetëm Rripin e Gazës: Izraeli nuk ka ndërmend të lërë jashtë asnjë detaj. Në fakt, ndër synimet e shtetit hebre janë edhe armiqtë që ka pranë në kufi. Këta janë në veçanti Siria dhe Libani.
Deri më tani, të paktën një herë në muaj avionët e ushtrisë së Netanjahut kanë goditur aeroportet e Damaskut dhe Alepos, sepse ato do të përdoreshin nga Irani për transferimin e armëve.
Megjithatë, këtë herë sulmi ishte i njëkohshëm, për t’i nxjerrë të paktën për një moment jashtë aksionit armiqtë në kufi dhe për të dërguar një mesazh të qartë.
Izraeli synon gjithashtu të shkatërrojë të ashtuquajturit “sponsor” të Hamasit dhe për rrjedhojë Iranin dhe të ashtuquajturin Bosht i Rezistencës, i cili përfshin Hezbollahun në Liban, regjimin e Asadit në Siri, Huthit në Jemen dhe militantët shiit në Irak.
Në orët në vijim pritet që 173.000 ushtarët e Izraelit, të mbështetur nga 300.000 rezervistë që janë mbledhur nga i gjithë vendi, do të luftojnë për mundësinë për të shfarosur njëherë e mirë Hamasin, siç ka kërkuar kryeministri Benjamin Netanjahu.
Kjo forcë e madhe, së bashku me 300 tanke ushtarake, përfshirë obusët vetëlëvizës, tashmë janë në kufirin e Rripit të Gazës.