Luftëtarët e Hamasit ka të ngjarë që kanë përdorur armë të Koresë së Veriut gjatë sulmeve të tyre më 7 tetor ndaj Izraelit.
Agjencia Associated Press tha se ky përfundim është nxjerr pas analizimit të një videoje dhe armëve që janë kapur nga Izraeli, pavarësisht se Pheniani ka mohuar se i shet armë këtij grupi militant palestinez.
Videoja është analizuar nga dy ekspertë për armët e Koresë së Veriut. Agjencia Associated Press ka analizuar armët e kapura në fushëbetejë, por është bazuar edhe në inteligjencën ushtarake të Koresë së Veriut, dhe sipas AP-së, videoja tregon se Hamasi ka përdorur raketahedhës krahu F-7, armë që zakonisht luftëtarët e përdorin kundër autoblindave.
Këto dëshmi hedhin dritë në dërgesat e paligjshme të armëve që Koreja e Veriut – shtet i goditur nga sanksionet ndërkombëtare përdor në mënyrë që të financojë programet e saj të armëve.
Armët F-7 mund të mbushen me shpejtësi, që i bëjnë ato armë të vlefshme për forcat guerile. Granatahedhësi F-7 është dokumentuar se janë përdorur edhe në Siri, Irak, Liban dhe Rripin e Gazës tha N.R. Jenzen-Jones, ekspert i armëve që punon në Armament Research Services.
“Koreja e Veriut për një kohë të gjatë ka mbështetur grupet palestineze dhe armët verikoreane edhe në të kaluarën janë dokumentuar në mesin e dërgesave të ndaluara,” tha Jenzen-Jones për Associated Press.
Hamasi ka publikuar fotografi të trajnimeve ku shfaqen luftëtarët e tij me armë sikurse granatahedhës dhe elemente të tjera që përkojnë me F-7, tha Matt Schroeder, hulumtues në institutin Small Arms Survey, i cili ka shkruar një udhëzues për armët e lehta të Koresë së Veriut.
“Nuk është befasi që shohim armë të Koresë së Veriut te Hamasi,” tha Schroeder.
Arma verikoreane F-7 i ngjan granatahedhësit të epokës sovjetike RPG-7, por ka disa dallime./REL