Dosja voluminoze e SPAK, zbulon armiqësinë mes Behar Bajrit dhe Ibrahim Licit, që kanë humbur disa njerëz në atentate nga rrethi i afërt, por nuk arrin të shkojë te seriali i para disa viteve. Gjithçka, i ka fillesat në 13 Janar të vitit 2018, kur Shkodra tronditet nga një atentat që përhapi terror.
Një sasi tritoli e fiksuar në një motoçikletë shpërthen pranë mjetit të blinduar të Lulzim Kullës, të fortit të Shkodrës që ishte dhëndërr në familjen Lici. Bashkë me të, u plagosën edhe 7 kalimtarë rasti. Si autorë u prangosën 3 të rinj nga Elbasani por porositësit nuk u zbuluan kurrë. Në një transkript të dosjes “Metamorfoza”, nga një bisedë e dyshuar e Behar Bajrit citohet plani për eliminimin e një personazhi të quajtur “Luli”, por nuk dihet nëse bëhet fjalë për të njëjtin person.
“Luli nuk del fare dhe fëmijët i ka nisur jashtë shtetit. Edhe ushqimin ja çojnë të tjerët por ishalla po e nxjerr kokën…”
Kjo bisedë, i përket datës 2 Korrik 2020. Në një tjetër komunikim ku sipas prokurorisë komunikojnë Pëllumb Gjoka dhe Behar Bajri, përmendet i plotë emri i Lulzim Kullës. Aty, flitet për ta vënë në kurth.
“O vëlla, Lul Kulla ka shok Gëzim Çelën në Patok ta dish. Dhe nëse e di ai që po shkon ti aty, e di edhe Bardhoku. Llogaritë bëji vetë. I kam marrë masat ku ta has atë këtu”.
Biseda përforcon më tej dyshimin për organizimin e mundshëm të një atentati të dytë ndaj Lulzim Kullës. Interesante është edhe zbulimi i emrit të Gëzim Çelës, i njohur si një prej bosëve më të mëdhenj të trafikut të drogës. Ai, nuk rezulton të jetë implikuar në këto ngjarje, por grupet zbulojnë në bisedat e zbardhura se si ata shkëmbejnë informacione dhe ndere mes tyre.
Së fundi, Gëzim Çela është shpallur në kërkim në kuadër të operacionit anti-drogë “Flakë në Det”. Çela së bashku me 2 shtetas dhe ukrainas dyshohet se ishin pas planit për trafikimin e një sasie kanabisi përmes një veliere. Në 15 Gusht 2023, mjetit lundrues i vunë zjarrin në det të hapur pasi konstatuan ndjekjen nga policia. Ish-punonjësi i policisë Çela, njihet në radhët e botës së errët si një prej personazheve të parë që ka krijuar lidhje dhe linja trafiku të drejtpërdrejta me kartelet e fuqishme ndërkombëtare. Fillimisht në linjën lindore të heroinës nga Turqia, e më pas me linjat e kokainës nga Amerika Latine. Nuk dihet nëse në aplikacionin SKY janë zbuluar lidhje të tij me grupet shkodrane për trafikun e drogës, por miqësia me kundërshtarët e Bajrave del në biseda.