Detaje të reja nga arrestimi i shefit të Krimeve të Rënda, Dedan Gjoni i cili në bashkëpunim me personazhin e njohur të krimit në Kukës, Bujar Gërmizi (Ajeti) dhe shtetasin Besmir Mustati, po planifikonin vrasjen e dy vëllezërve në Britani.

Raportohet se shkak është përplasja për trafikun e drogës dhe se ky operacion i SPAK po zhvillohet paralelisht edhe në Spanjë për kapjen e autorëve të dyshuar të grupit kriminal.

Ndërkohë mësohet se Bujar Gërmizi është shoqëruar nga Kukësi drejt Policisë së Drejtorisë së Tiranës nën masa të rrepta sigurie.

Erzen Breçani ka lidhje krushqie me Ervin Matën, pasi djali i ish-drejtori i Policisë së Tiranës është në një marrëdhënie me motrën e biznesmenit.

Ndërkohë që planet për të vrarë kundërshtarët ndodhën midis 2019- 2020 në Durrës, Belgjikë dhe Holandë.

Veç prishjes së pazareve për ngarkesat e drogës, shkak i planeve për krime ishte dhe ajo e përplasjes dhe hasmërive midis Ervis Martinit (i shumë kërkuar dhe me dy masa sigurimi në mungesë arrest me burg) dhe Ervin Matës (i kërkuar).

I ftuar në një emision televiziv 1 vit më parë, ish-drejtori i Policisë, Erzen Breçani, duke folur mbi zhdukjen e Martinajt ka pohuar se hetimet duhet të nisin nga vrasja.

Erzen Breçani: Hetimet mbi zhdukjen e Evis Martinajt duhet të nisin nga vrasja pasi i gjithë grupi i tij janë vrarë, këta janë element të krimit të organizuar. Ky hetim për zhdukjen e tij do zgjasi jashtëzakonisht shumë, shteti nuk e ka seriozisht këtë ngjarje.

Kujtojmë se ish-zv.drejtori i policisë së Tiranës gjatë qeverisjes Berisha, Erzen Breçani u arrestua mbrëmjen e 20 nëntorit, pas një operacioni të SPAK, ku u lëshuan 11 urdhër arreste.

Në momentin e arrestimit, Breçani ka qenë pranë stadiumit ‘Air Albania’ bashkë me Dedan Gjonin, shef i Krimeve te komisariati Nr. 6 në Tiranë.

Ata kishin prerë biletat për të parë ndeshjen e kombëtares me Ishujt Faroe, përballja e fundit për kualifikueset e europianit.

Në atë moment, bashkë me Breçanin u arrestua edhe Dedan Gjoni. Ndaj shefit të krimeve janë ngritur disa akuza për vepra të rënda penale, një prej të cilave është ajo e sigurimit te kushteve për të kryer vrasje.

Ndërsa Breçani dhe djali i tij, Eralbi Breçani, akuzohen për përkrahje të autorit të krimit dhe pastrim parash.

Nga 11 urdhër arrestet e lëshuara nga SPAK, 6 janë ekzekutuar dhe 5 janë në kërkim, përfshirë këtu edhe Ervin Mata, një emër i njohur i drejtësisë.