Vëllai i ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, Vice është ortak në një biznes të madh në jug-lindje të Shqipërisë me një prej të akuzuarve të SPAK nga grupi i Ervin Matës.

Kështu u shpreh eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço në një intervistë për “Top Talk” në Top Channel.

Karamuço tha se një personazh shumë i rëndësishëm i grupit Mata-Breçani të goditur nga SPAK, është “në biznes” me vëllain e Zaev. Ky i fundit është akuzuar dhjetra herë për përfshirje në afera të mëdha korruptive në vendin e tij.

“Përdorin një lloj letre për ta paketuar që reflekton deri në një farë pike rrezet e skanerit. Dhe kjo del edhe në përgjime, ku thotë “e shtrojmë me letër”. Ato miliona që komunikojnë ata 2-3 milionë euro, janë normale për një marzh kaq të lartë fitimi nga kokaina, pasi shkojnë e marrin me 6 mijë euro dhe shkon deri në 25-35 mijë euro.

Ka një informacion të pakonfirmuar që ky personazh, apo një person i lidhur me këtë hyri në biznes në jug-lindje të vendit me vëllain e një politikani të madh, me vëllain e kryeministrit Zaev të Maqedonisë së Veriut. Me këto lloje biznesesh duhet të paguash para të madhe për të marrë leje dhe dokumentat që nevojiten”, tha Karamuço.