Trupi i Liridona Ademajt do të prehet sot në varrezat e fshatit Rracaj, komuna e Gjakovës, atje ku edhe lindi. Pas kërkesës së familjes së saj, autoritetet pranuan zhvarrosjen e saj nga varrezat në fshatin e lindjes së burrit të saj.
“Njoftim mortor nga familja Ademaj. Familja Ademaj njofton miq, shokë e dashamir se rivarrimi i vajzës tonë Liridona Ademaj e vrarë me datën 29.11.2023 bëhet nesër me datë 4 dhjetor 2023 në varrezat e fshatit Rracaj në ora 14:00”, thuhej në njoftimin e familjes së Liridonës.
Familjarët e të ndjerës kishin dorëzuar një kërkesë me shkrim prokurores Besa Limani për të lejuar zhvarrosjen dhe rivarrimin e Liridonës pranë fshatit Rracaj.
“E nderuar prokurore, kërkojmë nga ju që të na mundësoni që turpin e vajzës sonë Liridona Ademaj ta zhvarrosim dhe ta rivarrosim në fshatin Rracaj. Kjo është një procedurë dhe përjetim tepër i rëndë për neve dhe këtë vendim e kemi marrë me shumë vështirësi por duam që ajo të prehet në shtëpinë e saj”, shkruhej në kërkesën e familjarëve të Liridonës.