Është arrestuar në Kosovë, Gëzim Çela i shpallur në kërkim nga SPAK në vijim të operacionit të koduar “Flakë në Det”, të ekzekutuar në muajin gusht, ku u godit një tentativë e trafikimit të drogës me varkë velierë nga lugina e Patokut në drejtim të Italisë, më konkretisht dyshohet se do shkëmbehej në mes të detit kanabis me kokainë.

SPAK e akuzon Gëzim Çelën për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata krimianle dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Në muajin gusht, Policia e Shtetit arrestoi në kuadër të këtij operacioni kushëririn e Gëzim Çelës, Nerim Çela, si dhe ish-punonjësin e Policisë së Shtetit, Arlind Ismailukaj, Armando Mema, Besnik Brokeri nga Vlora dhe dy korrierët me shtetësi ukrainase Kyrylo Ponomarenko dhe Kostiantyn Biellon.

Ndërsa, më 9 tetor të këtij viti, SPAK lëshoi 4 urdhër-arreste të reja, ku u arrestua shefi i komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj, si dhe u shpallur në kërkim Gëzim Çela i njohur si “Baroni i Drogës”, Arben Dalipaj nga Vlora dhe Roland Guzo nga Durrësi.

Gëzim Çela njihet ndryshe me nofkën “Baroni i drogës”, teksa që prej vitit 2015 ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar pas një vendimi të dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Gjatë hetimit të asaj periudhe, Çelën shfaqet si organizator dhe financues i një grupi kriminal, që kryente trafikun e heroinës dhe hashashit në Kosovë, Greqi dhe në Itali.

Çela, rezulton i dënuar me 20 vite burgim nga Gjykata e Krimeve të Rënda, por që nga viti 2015, policia nuk ka mundur ta lokalizojë dhe arrestojë, megjithëse ka pasur mjaft informacione se ai qëndron i lirë në zonën e lagunës së Patokut.

Çela ka vijuar aktivitetin e tij i pashqetësuar. Ndërsa grupi ku ai është dënuar për herë të parë, përbëhej nga Valentina Tufina e njohur si “Tezja e Kokainës”, Fran Mërdhoci, Alfred Mikeli, Arif Çela, Viktor Lekgega, Reald Hysolli etj.