Përvjetori i 33-të i themelimit, e ka gjetur Partinë Demokratike të përçarë më shumë se kurrë. PD zyrtare e Lulzim Bashës dhe “Rithemelimi” i Sali Berishës kanë organizuar dy festa të ndryshme në kryeqytet.

Në Pallatin e Kongreseve, Bashës i janë bashkuar për të festuar ditëlindjen e PD figura të njohura si ish-Presidenti Bamir Topi dhe themeluesi Rexhep Uka.

Ndërkohë në ceremoninë e Rithemelimit, Berisha shoqërohej nga e bija Argita Malltezi dhe çuditërisht mungonin aleatët si Fatmir Mediu e Dashamir Shehu, por jo PL që përfaqësohet me Silva Cakën.

Akuza e Bashës

Në fjalën e tij para të pranishmëve në sallën e Pallatit të Kongreseve, Lulzim Basha s’kishte si të anashkalonte faktin që lufta e brendshme në PD, ka bërë që 33-vjetori t’i gjejë të ndarë në dy kampe.

Me një mesazh të koduar drejtuar Sali Berishës, ai tha se shumë demokratë kanë mbetur të zhgënjyer prej atyre të cilëve u kanë dhënë shumë përgjatë viteve dhe që tashmë enden rrugëve duke ju trembur drejtësisë.

“Askush asnjëherë nuk do të mund ta bëjë pis ngjarjen historike të themelimit të PD. Askush dhe asnjëherë nuk do të mund ta fshijë sakrificën e themeluesve të saj. Mirënjohje për jetë studentëve dhe themeluesve të PD. Partia Demokratike është partia e shoqërisë së lirë shqiptare. E di që në këtë përvjetor nuk jemi aty ku ne donim të ishim. E di që në këtë përvjetor nuk i kemi në krah të gjithë. E di që shumë nga njerëzit që punuan dhe kontribuuan për partinë nuk janë këtu me ne. E di që në këtë përvjetor jemi zhgënjyer nga shumë për të cilët vetëm kemi dhënë në këto vite. E di që në këtë përvjetor një pjesë e jona sillet akoma rrugëve e verbuar nga interesi personal, e frikësuar nga gjykimi i historisë, e trembur nga dora e drejtësisë.”

Kundër akuza e Berishës

Ndërsa Sali Berisha, teksa fliste me rastin e 33-vjetorit të Partisë Demokratike, nuk kurseu akuzat për atë që është cilësuar si “biri i tij politik”, ish-kryetarin Lulzim Basha.

Kreu i Rithemelimit theksoi se për Partinë Demokratike, vitet më të vështira kanë qenë 2013 (vit kur ai u largua nga politika pas humbjes së zgjedhjeve dhe, 2021 (viti kur ai u shpall non grata dhe iu kthye jetës aktive politike).

“Sot bisedoja me një bashkëpunëtor timin. Më thotë, se kuptoj, këta që takoj na thonë se ne mbështetnim Lulzim Bashën për shkak të doktorit. Është e vërtetë, i them unë. Kjo është realiteti.”

Sipas Berishës, situata në të cilën ndodhet vendi aktualisht, “i ka rrënjët nga kalimi i udhëheqjes nga idealiste në një udhëheqje pazaresh amorale.”

“Po e çonte këtë forcë politike de facto drejt shuarjes së saj morale. Drejt transfigurimit të saj në një forcë që nuk duhej të ekzistonte.”

Ish-kryeministri deklaroi se paraardhësi i tij, gjatë kohës që kishte frenat e PD-së në dorë, nuk mbrojti interesat e popullit opozitar, por as atë kombëtar.

Ashtu si në Kuvendin Kombëtar të mbajtur disa ditë më parë, Gazment Bardhi dhe deputetët e tij munguan në organizimin e Rithemelimit.