Gazeta Jonë ka siguruar shkresën e SPAK drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, ku i kërkon heqjen e imunitetit për ish-kryeministrin, Sali Berisha.
Në shkresën që është firmosur sot më datë 12 nga kreu i SPAK, nga Altin Dumani kërkohet ndryshimi i masës nga ‘detyrim paraqitje’ në arrest me burg ose arrest shtëpie.
Shkresa e plotë
E nderuar znj. Kryetare e Kuvendit! Të nderuar Deputetë të Kuvendit!
Mbështetur në nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 231, 260, 288, 289 të K.Pr.Penale, si dhe në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nenet 13 dhe 118, bashkëlidhur ju përcjellim kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali BERISHA, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit personal shtrëngues nga ajo e “Detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga neni 233 i K.Pr. Penale, në atë të arrestit në burg/ arrest në shtëpi, parashikuar nga nenet 238/237 të K.Pr.Penale, në kuadrin e procedimit penal nr. 287 të vitit 2020, të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.
Gjithashtu në respektim të nenit 288 pika 2, të K.Pr.Penale, bashkalidhur gjeni relacionin e arsyetuar, të shoqëruar me provat përkatëse.
Duke ju falenderuar për bashkëpunimin
Hetimet e SPAK për ish-klubin sportiv “Partizani” dhe ndërtimin aty të 17 pallateve:
Kujtojmë që Berisha dhe dhendri i tij, Jamarber Malltezi po hetohen nga Prokuroria e Posaçme për vepra penale të korrupsionit në lidhje me privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani” dhe ndërtimin aty të 17 pallateve – një biznes që sipas SPAK i mundësoi Malltezit që të fitonte 5.4 milionë euro nga ndërtimi.
Sipas prokurorisë, Malltezi arriti të transformojë një trashëgimi modeste prej 113.7 m2 tokë në një pasuri prej miliona eurosh përmes kontratave sekrete dhe vendimeve të Berishës në favor të biznesit të tij.
Berisha dhe Malltezi i kanë cilësuar akuzat si hakmarrje politike e orkestruar nga kryeministri Edi Rama dhe nuk i është nënshtruar masës së sigurisë. Përmes avokatëve të tij, Berisha ka nisur gjithashtu një betejë ligjore për t’i rrëzuar vendimet e Gjykatës si të kundraligjshme, duke argumentuar se masat ndaj tij ishin vendosur në shkelje të Kushtetutës. Nën hetim është dhe bashkëpronari i këtyre kompanive, Fatmir Bektashi.