Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për strehimin e emigrantëve ilegalë në vendin tonë.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur ta marrë për shqyrtim këtë çështje, pas depozitimit të kërkesës nga deputetët e opozitës të cilët kanë kërkuar që të shqyrtohet ligjshmëria e kësaj marrëveshjeje që parashikon strehimin e mijëra emigrantëve ilegalë në Gjadër të Lezhës, në një territor që do të kontrollohet nga shteti italian.

Data e caktuar është 18 janar në orën 10:00. Në këtë mënyrë, është pezulluar ratifikimi i marrëveshjes në Kuvendin e Shqipërisë, që ishte parashikuar të ndodhte ditën e nesërme.

Vendimi i Kushtetueses vjen pas reagimit të ashpër të deputetit Gazment Bardhi ditën e sotme, i cili i akuzoi gjyqtarët për “heshtje” duke i hapur kështu rrugë parlamentit të ratifikojë marrëveshjen.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të dërgohet mëngjesin e nesërm me zarf drejt Kuvendit të Shqipërisë, duke i vënë të gjithë ligjvënësit në dijeni për vendimin e kësaj Gjykate, që automatikisht bllokon ratifikimin e marrëveshjes në Kuvend.