Gazetari Artan Hoxha ka zbuluar dinamikën e vrasjes në burgun e Peqinit. Hoxha tha se vrasja është e planifikuar prej kohësh nga jashtë, për motive që  mund të lidhen me hakmarrjen.

Sipas gazetarit në momentin që Sokol Mjacaj mësoi përmes televizorit, urdhrin e ministrit Ulsi Manja, se do të transferohej në regjimin 41 bis, ai ka kërkuar të dalë në ambientet e jashtme të burgut.

Pasi është lejuar, Mjacaj ka marrë armën që mund të ketë qenë e fshehur në ambientet e jashtme dhe ka shkuar te dritarja e Arben Lleshit ku e ka ekzekutuar. Si pasojë e të shtënave u dëmtua dhe Indrit Shaqja.

Sipas Hoxhës plani i ekzekutimit kishte kohë që ishte planifikuar dhe pritej të ndodhte nga momenti në moment.

“Ai në momentin që ka marrë informacionin që do të dërgohej në regjimin 41 bis ka kërkuar që të shkojë në dhomë ajrimi, sepse nuk ka qenë orar ajrimi. Dhe kur ka dalë në dhomën e ajrimit e ka qëlluar. Qelia në të cilën ndodhej Arben Lleshi ka një dritare në pjesën e jashtme, nuk është qëlluar nga korridori, është qëlluar nga jashtë në dritare, ku iu mor jeta të dënuarit me 32 vite burg dhe është plagosur Indrit Shaqja. Personi në fjalë pasi ka bërë goditjen, ka qenë i rrezikuar, pasi mund të qëllohej nga ropjet e sigurisë. Në pjesën e jashtme rojet e sigurisë janë të armatosur, sidomos ata në lartësi, ndërkohë që rojet e brendshme nuk mbajnë armë. Ky ka qëlluar dhe për t’i shpëtuar eliminimit është futur brenda. Këtu kuptojmë që kjo ngjarje ka qenë e planifikuar me detaje. Ai ka hyrë në pjesën e brendshme, ku është kuzhina dhe korridori që të çon te takimet e familjarëve. Ai ka shkuar te dhoma e takimeve dhe ka marrë pengje. Ai ka qëndruar në këtë sektor më shumë se 50 min. Ai ka arritur të negociojë edhe me drejtorin e burgut edhe me drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve. Ai nuk e ka pasur synim të dëmtojë as persona të tjerë, as veten.

Kanë shkuar forcat speciale të burgut dhe më pas shkoi RENEA, por nuk ka hyrë në veprim, pasi vrasësi ka synuar eliminimin e objektivit dhe është dorëzuar”, tha Hoxha në Euronews Albania.

“I burgosuri më telefonoi, kishte parë armë”

Hoxha ka ndarë bisedën që ka pasur me një të burgosur në institucionin e vuajtjes së dënimit në Peqin. Hoxha tha se pak kohë më parë ai kishte folur me një të dënuar tjetër në të njëjtin sektor ku ndodhi ngjarja. I burgosuri (të cilin nuk e identifikoi me emër) e kishte telefonuar për t’i shprehur shqetësimin se në burg ishin futur armë, por edhe sepse kishte nisur të shqetësohej se do të ishte ai shënjestra.

“Disa ditë më parë kam folur me një të dënuar që është në këtë sektor dhe kam folur pikërisht për këtë gjë. Ai ndihej i rrezikuar dhe kishte informacion se brenda institucionit ishin futur armë. Ai nuk e dinte se kush do të goditej dhe kishte frikë se do të goditej vetë. Personi që unë kam komunikuar ka qenë i dënuar jashtë shtetit, i dënuar edhe në Shqipëri. Ai i përket kohës ’97-200, është dënuar si pjesëtar i një nga bandave më të mëdha në jug të vendit. Ai është kapur jashtë shtetit, u dënua atje, u kthye në Shqipëri.

Ka diku te 25 vite burg, është personazh i njohur dhe besoj se biseda ime me të është e regjistruar. Ma shprehu shqetësimin sepse ndihej edhe vetë i kërcënuar dhe ndjeu se mund ta godisnin edhe atë. Ai më dha edhe një orientim se kush mund të kishte futur armë brenda në burg, ai më tha gjithashtu se kjo gjë nuk ishte e ditëve të fundit. Informacioni që më dha më krijoi përshtypjen që brenda ka pasur problematikë. Kisha filluar ta verifikoja informacionin. Dje më mori një informacion dhe më tha që ka ndodhur kjo ngjarje. Më tha direkt që ka ndodhur kjo ngjarje. Ngjarja është në hetim e sipër”, tha Artan Hoxha.

Prokuroria po heton edhe në një tjetër drejtim, atë të vrasjes së porositur nga jashtë, por ende nuk ka informacione zyrtare të konfirmuara.

20 ditë me armë në qeli

Ndërkohë, Prokuroria e Elbasanit njoftoi sot rrethanat e vrasjes së të premtes në burgun e Peqinit, me pasojë një të vdekur dhe një të plagosur. Prokuroria deklaroi gjithashtu se kishte ndaluar drejtorin e burgut, Kamber Hoxha dhe 11 vartës të tij të cilët dyshohen për shpërdorim detyre.

Si autor i ngjarjes akuzohet i dënuari me burgim të përjetshëm, Sokol Mjacaj, ndaj të cilit rëndojnë akuzat “vrasja në rrethana cilësuese”, nga e cila një e mbetur në tentativë; “mbajtja dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “futja ose mbajtja e sendeve në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”.  Të 12 zyrtarët dhe punonjësit e policisë së burgut të Peqinit janë ndaluar për veprën penale “shpërdorimit të detyrës”.

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se pas mesditës së të premtes, i dënuari me burgim të përjetshëm, Sokol Mjacaj ka qëlluar me pistoletë ndaj të dënuarit Arben Lleshi duke e lënë të vdekur në vend, si dhe ndaj Indrit Shaqjas të cilin e ka plagosur.

Më pas, Mjacaj ka kanosur me armë zjarri punonjësit e shërbimit dhe është izoluar në ambientet e takimeve me familjarët në këtë burg. Prokuroria thotë se në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një armë zjarri, 5 gëzhoja, si dhe dy predha të dëmtuara.

Pas marrjes në pyetje të autorit të Mjacajt dhe kryerjes së veprimeve hetimore paraprake, është konkluduar se arma e zjarrit është futur në burgun e Peqinit dhe më pas është mbajtur në dhomë nga autori i vrasjes për rreth 20 ditë. Prokuroria dyshon se arma e zjarrit është mbajtur nga Mjacaj edhe në ambientet e përbashkëta në këtë burg, si në atë të ajrimit dhe në regjimin e brendshëm.

“…Ka dyshime të bazuara se nga punonjësit e shërbimit nuk janë përmbushur detyrat funksionale, pasi nuk kanë kryer kontrollin fizik, që konsiston dalja e të dënuarit nga dhoma për ajrim dhe kthimin nga ajrimi për në dhomë në ditën e ngjarjes si dhe në ditët e mëparshme. Gjithashtu, gjatë transferimit nga ambientet e godinës së emërtuar si 41 biz ku ka qenë i akomoduar për në godinën B të sigurisë së lartë ku është akomoduar së fundmi i dënuari Sokol Mjacaj, rezulton se nuk është kryer procedura standarde e kontrollit fizik dhe të sendeve personale, si parashikon skema e sigurisë,” deklaroi më tej Prokuroria.

Po ashtu, theksohet se nga ana e autoriteteve të informacionit të burgut nuk është njoftuar në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan apo Komisariatin e Policisë Peqin për ngjarjen e rëndë të ndodhur të premten.

Bazuar në të dhënat e hetimit paraprak është kryer ndalimi i të dënuarit 28 vjeçar Sokol Mjacaj dhe i 12 zyrtarëve dhe punonjësve të policisë në burgun e Peqinit. Konkreisht, janë ndaluar drejtori i burgut Peqin, Kamber Hoxha; shefi i regjimit të godinës 41 Bis, Qani Muça; ish-shefi i sigurisë, Nikolin Gjonpalaj; shefi regjimit në një godinë të burgut, Vilson Shima; specialist i informacionit, Arben Dulellari; dhe punonjësit e shërbimit, Fatos Pire, Ilir Balla, Florenc Mile, Fatos Pire, Ilir Balla, Florenc Mile, Genci Muça, Indrit DUbali Klement Haka dhe Erjon Çila.

Mjaçaj vuan dënimin me burgim të përjetshëm pasi në korrik të vitit 2015 në fshatin Prekal të Dukagjinit grabiti dhe vrau dy turistë çekë. Ndërsa viktima Arben Lleshi ishte i dënuar me 32 vite burg për një vrasje të kryer në Britaninë e Madhe. I plagosur si pasojë e këtij konflikti mbeti edhe i dënuari tjetër Indrit Shaqe.