Ish-shefi i Krimeve në Komisariatin nr.6, Dedan Gjoni rezulton të jetë i përfshirë në një tjetër tentativë vrasjeje, kësaj radhe në bashkëpunim me Rexhep Arapin, i njohur ndryshe si “Kep Arapi”.
Kanë qenë autoritetet holandeze ato të cilat kanë përcjellë informacionet për përfshirjen e ish efektivit, i arrestuar rreth 1 muaj më parë me urdhër të SPAK, për sigurim të kushteve për të kryer një vrasje.
Ngjarja në fjalë për të cilën janë vënë në lëvizje dhe autoritetet holandeze, i përket 17 Shtatorit të vitit 2019, kohë kur Dedan Gjoni ishte pjesë e Drejtorisë së Policisë Durrës.
Hetimet e zhvilluara nga SPAK kanë arritur të provojnë se ish-efektivi duke përdorur detyrën e tij, u ka dhënë informacione tre personave, Rexhep Arapit, nipit të tij, Algert Arapi dhe Dejvi Gjermenit mbi lëvizjet e Xhevdet Plakut, të cilin ata po e ndiqnin për ta vrarë.
Mësohet se ai e ka thirrur Xhevdet Plakun ne polici për ta marrë në pyetje për një ccështje dhe nga ana tjetër ka njoftuar Rexhep Arapin në mënyrë që ata t’i ngrinin pritë.
Fatmirësisht, për rrethana ende të paqarta, atentati nuk është finalizuar.
Tre personat që donin të eliminonin Xhevdet Plakun janë arrestuar. Rexhep dhe Algert Arapi u kapën në Shqipëri, ndërsa Dejvi Gjermeni në Holandë.
Dedan Gjoni ndodhet në qelitë e paraburgimit, aty ku mbahet prej datës 20 Nëntor, i vënë nën akuzë si pjesë e një tjetër grupi kriminal.
Xhevdet Plaku nuk është një emër i panjohur për drejtësinë, pasi ai është i skeduar në e trafikut të drogës në Holandë, vend nga ku dyshohet se erdhi porosia për ta eliminuar fizikisht atë.
Për operacionin reagoi ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili tha deri tani në pranga apo janë proceduar rreth 339 efektivë policie të përfshirë në veprimtari të jashtëligjshme.