Ermal Mulosmani

Ditët më të këqia në historinë politike të Sali Berishës morën fund sot. Kalvari i ecejakeve nëpër gjyqe dhe konferencat e pafundme të shtypit ia shteruan gjithë energjinë duke e ulur ndjeshëm peshën e tij politike dhe kreditet te ndjekësit.

Pala tjetër bëri çmos ta zgjatte këtë proçes pa fund për ta diskretituar politikisht. Dhe jo pa sukses.

Ata që gëzohen sot më së shumti për Berishën e burgosur janë Lulzim Basha dhe përkrahësit e tij jo Edi Rama dhe të tijtë. Mundet edhe Mero Baze por, për hir të së vërtetës ai ka arsye shumë më të justifikueshme.

Bashistët do të kuptojnë shpejt që gëzimi publik që shprehën sot do ju kthehet në humbje përfundimtare votash nesër.

Berishistët do të përpiqen të ruajnë bërthamën dhe mundet ta arrijnë këtë, tashmë me foton e tij në duar dhe kartën e viktimizimit. Ata nuk do të shuhen kurrsesi përfundimisht, pavarësiaht firos.

Pjesa tjetër do të shpërndahen në Parti të reja por, sipas meje kurrë me Bashën. Sepse kanë parë tu mallkohet lideri i tyre në ditët e tij më të këqija dhe nuk ua falin. Por kryesorja, nuk kanë kurrfarë garancie se do marrin ndonjë kockë atje. Vendet janë tashmë të zëna. Për 10-15 vende konkurojnë nja 50 emra.

Antiberishistët sot e humbën kauzën. Nesër kjo kauzë nuk pi më ujë.
Në zgjedhjet e vitit 2025, nëse nuk ndërrohet sistemi zgjedhor, Rama merr 110 deputetë. Ndryshimi mund të ndodhë vetëm më 2029.

Ata që presin që SPAK të arrestojë Ramën duhet ta dijnë që edhe sikur kjo të ndodhë dhe Partia Socialiste të udhëhiqet nga Maqo Lakrori a Namik Dokle e ka të siguruar mandatin e radhës.