Një profil i hapur ne rrjetin social “Tik Tok” dyshohet se çoi në aktin ekstrem të vetëvrasjes një 41 vjeçare nga Sukthi në Durrës. Bedrie Loka ndërroi jetë në datën 2 janar të këtij viti në spital pasi kishte konsumuar fotoksinë.
41 vjecarja ishte punonjëse në një kompani fasonerie në zonën e Fllakës dhe paraprakisht dyshohet se adresën në rrjetin social që mban foton dhe emrin e saj ja kanë hapur kolegët. Bashkëshorti i saj, i ardhur nga emigracioni para vitit të ri ka dëshmuar në polici duke akuzuar se profilet denigruese ia kishte hapur kushërira.
“Në 27 dhjetor kam mbërritur në Shqipëri. Gruaja ka pasur stres dhe ankth kohët e fundit, mund të ketë kryer këtë veprim si pasojë, pasi rreth një vit më parë persona të paidentifikuar i kanë hapur një adresë në Tik Tok në emrin e saj, dhe për këtë ka bërë kallëzim penal. Natën para ngjarjes, gruaja ka qenë në rregull dhe nuk ka pasur shqetësime dhe kemi festuar natën e Vitit të Ri.
Por prej kohësh ajo kishte shfaqur ide se nuk përballonte dot foton që i kishin publikuar në Tik Tok. Kur u ngrita në mëngjes e pashë të shtrirë te dhoma e ndjenjës, në mes të shtëpisë. E çova në spitalin e Durrësit dhe aty më thanë se ka pirë fostoksinë dhe e nisën në Tiranë”, ka deklaruar.