Më shumë se 50 forca të Policisë së Shkodrës, FNSH dhe RENEA zhvilluan dy ditë më parë një kontroll të befasishëm në Grudë të Shkodrës për arrestimin e Eljon Hatos.
Ky i fundit ishte shpallur në kërkim si person i dyshuar dhe i përfshirë në dosjen “Metamorfoza”, por pavarësisht kontrolleve, Hato nuk u vu dot në pranga pasi nuk ndodhej në banesë.
Banesa tek e cila kishte dyshime se strehohej ishte e vëllait të tij, Elkier Hato.
Eljon Hato njihet si mik i Ervis Martinaj, një personazh ky shumë i njohur për drejtësinë shqiptare, i cili rezulton i zhdukur, që verën e vitit të shkuar. Eksperti i Kriminalistikës, Ervin Karamuço, i ftuar në “Ora e Fundit” në ABC News theksoi se ka dyshime të forta se operacioni në Grudë i RENEA-s dhe FNSH-së është dekonspiruar.
“Operacioni dyshohet se është dekonspiruar. Ky ka qenë problem më i madh. Mund të jetë pjesë e një dekonspirimi, fakti që nuk është kapur ky person.Në kushtet e flagrancës nuk mund të kesh një mandat kontrolli. Nuk e di se kush ka qenë flagranca. Operacioni është shfrytëzuar për kërkimin e peronave, të cilët janë ende në arrati. Çdo kontroll i kryer në mënyrë të paligjshme dhe çfarëdo prove mbledh, provat janë të paligjshme.”, tha ai.
Ai u shpreh se Ministria e Brendshme duhet të zbardhë misterin, që ka përfshirë fatin e Ervis Martinajt. Karamuço theksoi se deri tani nuk ka ende asnjë provë ADN-je, e cila do konfirmonte pistën e vrasjes së Martinaj.
“Këtë duhet ta thotë ish-ministri i Brendshëm dhe ministri i tanishëm. Për sa kohë që nuk gjejmë edhe një qelizë të vetme ADN-je, ne nuk mund flasim për asnjë pistë. Nuk ka ende një provë, që të vërtetojë njërën pistë apo dhe tjetrën. Policia ka informacion për fatin e tij, por nuk e bën publik, për sa kohë nuk e provon dot”, tha ai.