Me urdhër të SPAK, Policia e mbështetur nga forcat RENEA po kryen operacione në të gjithë vendin, me qëllim kapjen e eksponentëve të rëndësishëm të krimit të organizuar në Shqipëri. Burime bëjnë me dije se me urdhër të GJKKO, janë lëshuar masa arresti për vëllezërit Durim dhe Valter Bami, si dhe për anëtarët e fisit Avdylaj në Shijak. Kontrollet janë shtrirë në gjithë vendin por burime bëjnë me dije se me urdhër të SPAK, janë duke u kryer kontrolle edhe te banesat e disa personazheve të tjerë të njohur për armiqësinë e tyre me Ervis Martinajn, i zhdukur prej afro dy vitesh.

Një prej tyre edhe Fatmir Hyseni i njohur me pseudonimin ‘Doqja” nga Vlora. “Doqja” është anëtar i grupit kriminal “Duka” dhe dyshohet se është një personat e përfshirë në vrasjen e ish-efektivit të policisë Santiago Malko. Nga informacionet operative që policia e Tiranës ka mbledhur lidhur me vrasjen e Santiago Malkos rezulton se klani “Duka”, ose siç njihet ndryshe në Tiranë si “banda e Romëve”, ka kontraktuar Fatmir Hysenin nga Vlora pjesë e “grupit të Çamëve” për të eleminuar fizikisht, Santiago Malkon, ky i fundit shok i biznesmenit të lojrave të fatit Ervis Martinaj. Gjithashtu ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në atentatin e përgjakshëm në mbikalimin e Fushë Krujës, ku u vranë Brilant Martinaj nipi i Ervis Martinajt, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata. 

Klani “Duka” është një nga grupet kundërshtare të Ervis Martinajt, ku në vitin 2021 me zbardhjen e dosjes hetimore që çoi në burg Ardjan Ahmetin, Dejvison Serjanin dhe të fejuarën e këtij të fundit, u zbulua se si krijuan kushte për eleminimin e tij. Leonard Duka dhe Fatmir Hyseni kanë patur në plan eliminimin fizik të Ervis Martinaj.

Çfarë thuhej në dosje asakohe

‘Shtetasi Dejvison Serjani ka kushëri të parë shtetasin Daut Elmazi (djalë daje). Gjithashtu ka rezultuar se shtetasi Ardjan Ahmeti dhe shtetasi Daut Elmazi njihen dhe janë kushërinj. Po sipas akteve dhe deklarimeve, ka rezultuar që të tre të pandehurit kanë njohje me njëri-tjetrin kryesisht njohje e siguruar nëpermjet shtetasit Daut Elmazi si kontakt i përbashkët. Nga deklarimet e shtetases N.Sh., ka rezultuar që prej shtetasit Daut Elmazi, ajo dhe i fejuari i saj Dejvisoni kanè krijuar kontakte me shtetasit Leonard Duka dhe Fatmir Hyseni (njohur me pseudonimin “Doge” “apo “Doqja”). Keta dy shtetas kanë patur në plan eliminimin fizik të shtetasit Ervis Martinaj dhe për organizimin e vrasjes ju është dashur informacion prej të pandehurve lidhur me lëvizjet e objektivit Martinaj jashtë vendit.

Në deklarime, e pandehura ka pranuar që në këmbim të informacioneve do të përfitonin shpërblim në para. Rezulton se në dy raste është dhënë informacion prej të pandehurve Serjani dhe vajza lidhur me planet e udhëtimit të objektivit Martinaj.

Nje herë informacioni i është përcjellë shtetasit Fatmir Hyseni (për një futurim të objektivit Martinaj me itinerar Prishtinë-Stamboll-Dubai) ndersa herën tjetër informacioni i është përejellë shtetasit Leonard Duka (për një fluturim të objektivit Martina me itimerar Athinè-Stamboll-Valencia). Sipas deklarimeve të N.Sh, shtetasi Leonard Duka i ka paguar asaj dhe Dejvison Serjanit shumën prej 30,000 (tridhjetë mijë) euro.

E kaluara e errët e Fatmir Hysenit

Fatmir Hyseni, “Doqja” ka një të kaluar kriminale dhe njihet në Vlorë si një personat që ka marrë pjesë në vrasjen e vëllait të Viktor Ymerit, i njohur edhe si ‘Tori i Xhihanes’. Sipas informacioneve që policia e Vlorës ka referuar në policinë e kryeqytet për Fatmir Hyseni, vrasja e vëllait të Viktorit ka ndodhur në Vlorë në vitin 1999, dhe ai ashtu si dhe vetë Viktori, ka qënë daja i Edison Harizaj, i konsideruar në Vlorë si “i paprekshmi”, por i vrarë me 52 plumba në 7 nëntor 2018 në dalje të Durrësit, ku së bashku me të mbeti i vrarë dhe Genci Caci. Ka rezultuar se Fatmir Hyseni është çam, dhe kunati i Dritan Veselit ose siç njihej ndryshe në qytetin bregdetar si “Didi i Vlorës” ose “Didi Çami”, i vrarë në 14 shtator 2004 në Vlorë. Gjithashtu Fatmir Hyseni dyshohet se ka marrë pjesë edhe në atentain e Inez Hajrullës në 10 maj 2019 në Vlorë.