Legjislacioni shqiptar nuk njeh minoritet etnik grek në Himarë, megjithatë dy kandidatët e shpallur deri më tani për kryetar të kësaj Bashkie identifikohen si grekë.

Petro Gjikuria nga opozita do të sfidojë Vangjel Tavon e socialistëve. Identifikimi si grekë është e përbashkëta e profilit të dy kandidatëve, por ata dallojnë për nga qasja që kanë ndaj elektoratit dhe kontributi që kanë dhënë në Shqipëri.

Vangjel Tavo është politikan veteran dhe më i lidhur me vendin Shqipërinë, ndërsa Petro Gjikuria, me profilin e një biznesmeni vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me premtimin se ka dyert e hapura jo vetëm në Tiranë, por edhe në Athinë, Bruksel, madje edhe në Uashington.

Aktivitetin sipërmarrës e ka ushtruar kryesisht matanë Atlantikut, nga ku është i angazhuar edhe në Federatën Panepirote të Amerikës. Federata drejtohet nga Nikolas Geixh, i famshëm për thirrjet antishqiptare.

Në vitin 2019, pasi u rizgjodh në krye të kësaj federate, Geixh deklaronte se do të lobohej fort në Uashington dhe Bruksel që të bllokoheshin negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë, derisa Tirana, siç pretendonte ai, t’u sigurojë grekëve të drejtat fetare, arsimore, politike, gjuhësore dhe kulturore.

Petro Gjikuria ka rol aktiv në këtë federatë, ndërsa në më 14 gusht të vitit të kaluar mori pjesë në një protest të organizuar në Himarë, ku kërkohej lirimi i Fredi Belerit. Në atë protest ai mbajti edhe një fjalë në greqisht, ku e konsideroi arrestimin e Belerit si politik dhe me akuza të fabrikuara.