Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i SPAK, i zhvilluar në datën 29 korrik të muajit të shkuar, në bashkëpunim me homologët holandezë, belgë, francezë, Europol dhe Eurojust, ku objekt hetimi ishte organizata kriminale që drejtohej nga vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja me bazë në Elbasan, e cila operonte në trafikikimin e lëndëve narkotike, si dhe atë të vrasjeve në Shqipëri dhe në disa vende të Evropës.
Gjatë këtij operacioni, SPAK gjeti dhe sekuestroi një shumë të konsiderueshme parash që arrinin në vlerën e rreth 1 milionë eurove.
Sipas gazetarit të “Ora News”, Elton Qyno, shuma e eurove të gjetura nga oficerët e policisë ishin groposur të fshehura në oborrin e shtëpisë së Hajdar Bakos.
Kjo sasi monetare, e cila u përket valutave të prerjeve të ndryshme është mbyllur në një llogari bankare që administrohet nga Prokuroria e Posaçme.
Ndërkohë prokurorët e SPAK që hetojnë procedimin Nr.75, pretendojnë se përmes bisedave të “SKY”, ata kanë zbardhur dhe linjën e transferimit të parave nga disa shtete të huaja drejt shqipërisë.
Duke u nisur nga hetimi, transferimi i parave që vinin nga veprimtaria kriminale është bërë nëpërmjet një pike këmbimi valutor (Exchange) në kryeqytet, e cila administrohet nga dy shtetasit Maklen Mici dhe Bashkim Lika, të dy këta të vënë nën hetim nga SPAK nën akuzën për “Pastrim të Produkteve të veprës penale”.
Kjo pikë e këmbimit valuator që prej 13 shtatorit 2007 ndodhet në rrugën “4 shkurti” përballë Bankës së Shqipërisë në Tiranë, ku 60 për qind të aksioneve i zotëron Bashkim Lika dhe 40 për qind të pronësisë së saj i zotëron Maklen Mici.
Gjithashtu, Mici dhe Lika, sipas Ora News, në 24 mars të vitit 2023 kanë hapur në kryeqytet një kompani ndërtimi të qujtur “B&M CONSTRUCTION”, e cila do t’i shërbente sërish pastrimit të parave të pista.
Në njoftimin e dhënë më herët nga SPAK thuhej se dy vëllezërit Çopja kishin punësuar persona të tretë për të pastruar paratë që vinin nga organizata kriminale, kryesisht në sektorin e ndërtimit nëpërmjet kompanive fiktive të krijuara.
Sipas SPAK nga kryerja e hetimeve intensive janë përftuar të dhëna me interes në lidhje me pasuritë, investimet dhe pasuritë e dy vëllezërve në Shqipëri, format e përdoruara prej tyre si dhe personat e përfshirë në procesin e pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
“…evidentohet përdorimi i sektorit të ndërtimit nga organizata kriminale, ku nëpërmjet personave të tretë ka injektuar dhe investuar shuma monetare të konsiderueshme cash për realizimin e punimeve të godinave të banimit në proces ndërtimi si dhe në ndërtimin e godinave/komplekseve të banimit prej fillimit…”-thuhet në njoftimin e prokurorisë së posaçme SPAK.
Në vijim të hetimit, SPAK evidenton se kjo organizatë kriminale ka investuar edhe në çeljen e operatorëve ekonomikë, si dhe përdorimin e operatorëve ekonomik ekzistues me aktivitet në Shqipëri. Këta operatorëtë, janë të regjistruar në emër të lidhjeve të tyre shoqërore, miqësore dhe bashkëpunuese, duke mos ekspozuar poseduesit “de facto” dhe përdorimin e tyre si kamuflim/fshehje të natyrës së vërtetë të burimit dhe aktivitetit, me qëllim pastrimin e parave, të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal.
Gjithashtu, sipas SPAK njëri nga vëllezërit Franc Çopja ka realizuar transferimin e vlerave të konsiderueshme monetare “cash” përmes përdorimit të zyrave të këmbimit valutor brenda dhe jashtë vendit.
Franc Çopja ua ka dërguuar këto para personave të tij të besuar me qëllimin për të bërë pagesat për vrasjet e porositura, apo për të kryer investime në llogari të emrit të tij dhe të vëllait në Shqipëri dhe në disa vende të tjera jashtë saj.