Reperi i njohur, Rigels Rajku, u arrestua mbrëmjen e djeshme nga Policia e Shtetit në Kune, në Shëngjin.

Noizy u ndalua nga një postbllok policie, teksa po shkonte të perfomonte në një klub në qytetin bregdetar.

Më pas, skuadra “Fast Albania” i vendosi prangat si Noizy-t, edhe DJ të tij, Bahtjar Bajraktari i njohur si “DJ Crax”.

Të dy janë ndaluar për llogari të Prokurorisë së Pejës, e cila ka nisur një hetim për të zbardhur akuzat e ngritura ndaj reperit dhe pritet që të ekstradohen drejt Kosovës.

Reperi Rigels Rajku, i njohur me emrin e artit si Noizy, bashkë me grupin e tij, disa ditë më parë, është përfshirë në një sherr masiv, ku dyshohet se dhunuan Medi Isenin. Personazhi i njohur i ‘Tik-Tok’ Medi Iseni akuzon se “u pre në besë” nga reperi tjetër shqiptar, Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit si Stresi, i cili dyshohet se e kishte ftuar për ta takuar, por ndërkohë ishte një “kurth”, për ta vendosur në të njëjtin ambient me Noizyn dhe grupin e tij. Vetë Stresi i ka mohuar akuzat. Ndërsa, reperi Noizy ka anuluar dy koncerte deri më tani, për shkak të çështjes në fjalë, një në Pejë dhe një tjetër në Gjilan. Prokuroria e Pejës po heton çështjen.