Emri i Olsi Ibros, 45-vjeçarit që u vetëvra mëngjesin e 20 korrikut 2024 në Tiranë, ishte në krye të listës së personave nën hetim nga Prokuroria e Tiranës për skemën mashtrimi masiv nëpërmjet mikrokredive.

Ai dhe bashkëshortja e tij, Elda Ibro, në bashkëpunim edhe me disa përmbarues, dyshohet se kanë mashtruar mijëra shqiptarë, nëpërmjet metodave jo shumë fine, por që përfituan nga, më së paku, mefshtësia e autoriteteve publike.

Në foto: Olsi Ibro, një prej drejtuesve të skemës së dyshuar mashtruese të mikrokredive u vetëvra në 20 korrik 2024

Dosja hetimore e Prokurorisë së Tiranës dëshmon se “elefanti ka qenë në një dhomë me qelqurina”, por asnjë nga institucionet që kishin në dorë të ndalnin abuzimin gjigand me financat e mijëra shqiptarëve, nuk ka lëvizur sa dhe si duhet për t’i dhënë fund sa më shpejt.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, institucion që ka licensuar kompanitë e dyshuara si të përfshirë në mashtrimi, MCA dhe Final, deklaroi se ishte informuar për gjendjen e rënduar financiare të të ndjerit Pal Trashaj, i cili vrau veten në oborrin e SPAK-ut, por, “nuk mund të bëja asgjë, pasi nuk ishte kompetenca ime”.

Në foto: Guvernatori Gent Sejko ka mohuar përgjegjësinë e Bankës së Shqipërisë për “aferën e mikrokredive

Ministria e Drejtësisë ka kallëzuar penalisht ish-përmbarues të përfshirë në skemë mashtruese, por strukturave e varësisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, nuk është treguar aspak intuitive, për të kuptuar se mijëra prona po regjistroheshin në emër të MCA, pas qindra ankandeve të zhvilluara në një njësi shumë të shkurtër kohore.

Ministrisë së Financave dhe Tatimeve nuk u është ndezur asnjë “llampë e kuqe”, kur kanë konstatuar se MCA dhe Final, dy kompani me një jetëgjatësi më pak se një dekadë, po fitonin pasuri në rendin e miliona eurove.

Tashmë që skandali i mikrokredive doli hapur në skenë, historia se si filloi dhe si u zhvillua dëshmon për një shtet që, e meriton më së miri epitetin “prej kartoni”.

Fillesa e “oktapodit” të mikrokredive

Hetimi për skemën mashtruese të mikrokredive është hetuar nga prokurorët Ndini Tavani dhe Arben Agovi.

Së fundmi, në grup hetimor është bashkuar edhe Antoneta Sevdari, prokurorja e rikthyer në detyrë pas një beteje të sukseshme në Gjykatën e Strasburgut përballë “amatorëve” të Vetingut.

Boldnews.al” ka komunikuar me anëtarë të grupit hetimor, të cilat treguan se historia e skemës mashtruese të mikrokredive e ka fillesën në vitin 2014, kur u krijua shoqëria “Micro Credit Albania” (MCA).

Në gusht të vitit 2015, MCA, me ortake Elda Ibro, bleu për 450 mijë euro portofolin e kredive të këqija të Bankës “Procredit”. Vlera e kredive të prapambetura dhe të pashlyera pranë kësaj Bankës llogaritej në disa miliona euro.

Më tej, MCA blen “kreditë e këqija” edhe në banka të tjera.

Në shtator 2015, “MCA” vendoset me zyra tek Qendra “Star”, në bulevardin “Zogu I”, Tiranë.

Në foto: Elda Ibro, pronarja e ‘MCA”

Në aktivitetin e saj, MCA bashkëpunonte me zyrën përmbarimore “SHP Zig”, me ortak Arben Meskuti; me zyrën përmbarimore “FS” me ortake Aldo Daka, si edhe me zyrën përmbarimore “Flash”,  në pronësi të Arben Meskuti dhe nënës së tij, Yllka Meskuti.

Në foto: Arben Meskuti

Sapo nisi ky bashkëpunim, këta përmbarues zhvendosën zyrat e tyre në të njëjtin vend me “MCA”.

Në vitin 2016, “MCA” e Elda Ibro nis bashkëpunimin edhe me zyrën përmbarimore “ADCA”, e cila kishte ortak bashkëshortin e saj, Olsi Ibro. Edhe kjo zyrën përmbarimore gjendet në të njëjtin adresë.

Më vonë, në skenë përfshihen kompania “Final”, e cila blihet nga Arben Meskuti në 2019.

Pjesë e skemën renditen edhe Andis Gjoka, me funksion administrator i “MCA” dhe Vasil Bakallbashi, administrator i “Final”.

Gjithashtu, kohë pas kohe, në “lojë” përfshihen edhe disa përmbarues private.

Si u “tjetërsua” shitja e kredive të këqija

Praktika e shitjes së “kredive të këqija” është një procedure standarte dhe që aplikohet rëndom në botën financiare.

Bankat e nivelit të dytë cedojnë nga e drejta e tyre për të marrë paratë e mbetura nga “debitorët e këqinj”, pra klientë që prej vitesh nuk mund të shlyejnë detyrimet financiare, duke shitur pjesë nga ky “portofol” në vlera më të ulta sesa detyrimi total, kryesisht në vlerën vetëm të principalit.

Në këtë mënyrë, bankat reduktojnë kostot operative dhe përmbarimore për procedura me klientë, të cilët janë në vështirësi financiare.

“Kreditë e këqija” shiten pasi më parë bankat kanë marrë nga gjykatat “urdhërin e ekzekutimit” ndaj debitorëve, gjë që do të thotë se detyrimi i pashlyer i klientit “noterizohet” para një trupe gjykuese.

Legjislacioni shqiptarë parashikon se debitorët nuk mund të ngarkohen me shpenzime më shumë sesa është vendosur në urdhërin e ekzekutimit të lëshuar nga gjykata.

Pas kësaj procedure, portofoli i “kredive të këqija” u shitet strukturave të tjera, kryesisht institucioneve financiare jo-bankare, që veprojnë si hallkë e tretë dhe që, për shkak të volumit të punës më të ulët se bankat, kanë mundësinë që të ndjekin procedurat për mbledhjen e borxhit nga “debitorët e këqinj”.

Fitimi i këtyre “të tretëve” konsiston në faktin se blejnë lirë portofolin e “kredive të këqija”, vlera e të cilave arrin disa herë më lart në rast të grumbullimit të borxhit.

Në foto: Një nga zyrat e shoqërisë “MCA”

Shembulli tipik: “MCA” bleu nga Procredit Banka për 450 mijë euro portofolin e “kredive të këqija” në vlerë miliona euro. “MCA”, me mbledhjen e plotë të borxheve në respektim të ligjeve dhe rregullave, do të arrinte një fitim shumë të kënaqshëm, shumëfish të vlerës që kishte paguar për blerjen.

Por, mbërritja tek ky fitim mund të kërkonte një kohë të gjatë. Ndaj, organizatorët e skemës së dyshuar mashtruese aplikuan rrugë të shkurta dhe abuzive, në dëm të mijëra qytetarëve.

Skema e “Oktapodit”

Pasi u siguruan “kreditë e këqija” nga bankat e nivelit të dytë, si edhe pasi të gjithë aktorët u mblodhën në të njëjtin vend, në të njëjtin adresë, nisi skema e dyshuar zhvatëse.

Punonjës të kompanisë “MCA” kontaktonin qytetarët, duke i informuar për detyrimin, fillimisht duke i joshur dhe më tej, duke i frikësuar me veprime përmbarimore.

Boldnews.al” ka raportuar më herët se mashtrimi i dyshuar me mikrokreditë është ndërtuar në të paktën pesë hapa kryesorë: (1) blerja e kredive të këqija; (2) joshja për marrjen e kredive të reja për të shlyer të vjetrat; (3) aplikimi i kamatë-vonesave të fryra dhe abuzive; (4) kërcënimi, shantazhi dhe më tej sekuestrimi abuziv i pronave të debitorëve; (5) zhdukja e dosjeve përmbarimore.

Në skemën e dyshuar, një rol të rëndësishëm kanë pasur disa përmbarues privatë, siç rezulton nga aktet e prokurorisë, të cilët kanë aplikuar vendime sekuestro në masë dhe tej logjikës normale të punës.

Të dhënat hetimore tregojnë se përmbaruesi Lefter Canaj ka hartuar rreth 1900 urdhëra për vendosje nën sekuestro konservative pasuri të ndryshme të debitorëve të ndryshëm, ndërkohë që përmbaruesi tjetër, Fatos Alimadhi ka hartuar 9430 akte të tilla. Të gjitha këto urdhëra sekuestrosh janë në favor të palëve kreditore “MCA” dhe “Final”.

Në foto: Ish-përmbaruesi Fatos Alimadhi

Gjithashtu, në këtë skemë dyshohet se është përfshirë edhe përmbaruesi tjetër gjyqësor, Helidon Xhindi.

Prokurorët dyshojnë se (ish) përmbaruesit Lefter Canaj, Helidon Xhindi, Fatos Alimadhi apo edhe Altin Vako, mund të kenë dhënë në përdorim vulën e tyre në mënyrë që institucionet financiare jobanka “Micro Credit Albania” dhe “Final”, përmes dhe në bashkëpunim me shoqërinë “ADCA”, të përpilonin dhe t`u komunikonin bankave të nivelit të dytë me mijëra sekuestro të llogarive bankare të qytetarëve, pa i njoftuar këta të fundit. Janë faktuar si të vendosura 21 550 urdhra për vendosjen e sekuestros konservative.

Në foto: Ish-përmbaruesi gjyqësor, Lefter Canaj

Po ashtu, ka rezultuar të ketë përputhje të të dhënave të këtyre sekuestrove të përmbaruesit Altin Vako me ato të përmbaruesit tjetër  Rigels Bejko, duke konfirmuar faktin se bëhet fjalë për të njëjtat çështje përmbarimore, me palë kreditore institucionet financiare jobanka Micro Credit Albania dhe/ose Final, që kanë kaluar “dorë më dorë” në një rreth të ngushtë përmbaruesish gjyqësorë privatë, për të kryer veprime të ndryshme përmbarimore, të cilat  dyshohet të jenë kryer në forma fiktive.

Në vijim, grupi i prokurorëve siguroi prova të mjaftueshme për të ngritur dyshimet se personat e përfshirë kanë “shitur/kaluar” në pronësi të MCA, pasuritë e paluajtshme të debitorëve apo shtetasve të tjerë në ankande fiktive me vlera shumëfish më të ulëta se sa vlera reale e këtyre pronave, prona të cilat janë vlerësuar në mënyrë fiktive.

Pas konfirmimit të ankandeve fiktive, prokuroria mori lejen e gjykatës për të vendosur nën sekuestro shoqëritë e mikro-kredive, të përfshira në këtë skemë të dyshuar mashtrimi gjigand.

Ankandet fiktive

Kur historia skandaloze e mikro-kredive po dilte në skenë, Ministria e Drejtësisë urdhëroi heqjen e licensës për tre nga përmbaruesit privatë-Fatos Alimadhi, Lefter Canaj dhe Helidon Xhindi

Pas heqjes së licencave të tre përmbaruesve, si pjesë e skemës shfaqet përmbaruesi Rigels Bejko, i “Zyrës së Përmbarimit Privat TDR Group” sh.p.k., i cili rezulton se ka kryer i vetëm 1966 ankande publike për të njëjtat procedura ekzekutimi të nisura nga tre kolegët e tij, dhe të gjitha për llogari e interes të vetëm dy kreditorëve Micro Credit Albania dhe Final.

Prokuroria ka bashkëpunuar me Dhomën Kombëtare të Përmbaruesve për këto raste dhe ka krijuar bindjen se këto ankande (1966 në total të evidentuara deri tani), të zhvilluar për një periudhë kohore të shkurtër nga përmbaruesi Rigels Bejko, dyshohet se janë fiktive, pa ofertues dhe të gjitha për interes të subjekteve Micro Credit Albania dhe Final, përfaqësuar nga i njëjti subjekt përfaqësues, ADCA.

Në foto: Në dosjen gjyqësore gjenden të renditur disa prej ankandeve të dyshuar fiktive

Në morinë e ankandeve të dyshuar fiktivë, disa prezantohen në vijim.

– Bashkëshortët Koka nga Tirana kishin mbetur pa shlyer shumën 21.400 lekë të reja, kur përmbaruesi Fatos Alimadhi u sekuestroi një ndërtesë 140 metra katrorë. Përmbaruesi Rigels Bejko shpall ankandin, pa ofertues dhe ndërtesa i shkon në favor “MCA” për shumën 240 mijë lekë të reja ose shumë herë më pak se sa vlera reale e objektit. Pak këtij ankandi, prona regjistrohet në Hipotekë në emër të “MCA”.

– Familjarët Tabaku nga Elbasani ishin debitorë në shumën 90 mijë lekë, kur me urdhërin e përmbaruesit Alimadhi iu vendos nën sekuestro apartamenti i tyre 65 m2. Kjo pasuri u nxor në ankand nga përmbaruesi Bejko, pa ofertues, dhe apartamenti shkoi për llogari të “MCA” për vlerën e vetëm 250 mijë lekë të reja.

– E njëjta skemë përsëritet me rastin e vlonjatit L. Shabani, i cili kishte mbetur debitor në shumën 1.5 milionë lekë të reja. Fillimisht atij i sekuestrohet një ndërtesë 112 m2, e cila del në ankand pa ofertues dhe përfundon në pronësi  të ‘MCA” për shumën 265 mijë lekë të reja.

Prokurorët thonë se hetimi është ende i hapur. Në skemë dyshohet se ka edhe të tjerë personazhe, të dukshëm apo të fshehtë, të cilët kanë përfituar miliona nga skema e dyshuar mashtruese.