Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me ngjarjen e ndodhur pasditen e djeshme në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, ku oficeri i policisë Erion Goxharra qëlloi me armë Lorenc Kostën, inxhinier në ERE.

Inxhinieri i ERE-s, Lorenc Kosta, i cili u plagos mesditën e djeshme në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, ndodhet në gjendje kritike për jetën, ndërsa i është nënshtruar dy ndërhyrjeve kirurgjikale në spitalin e Traumës në Tiranë. Burime bëjnë me dije për ZËRI-n se ai ka marrë 6 plumba në zonën e barkut dhe këmbëve, të cilët i kanë shkaktuar një hemoragji të rëndë, ndërkohë që autori i ngjarjes, efektivi i policisë Erjon Goxhara mbetet ende në kërkim. Kosta do të vijojë të qëndrojë në monitorim në sallën e reanimacionit, deri sa të jetë jashtë rrezikut jetësor.

Ndërkohë sa i takon motivit, të krimit që dyshohet se është kryer me paramendim nga Goxhara, ajo është tradhtia në çift. Mësohet se bashkëshortja e efektivit, më të cilin ka dy fëmijë, është njohur në vendin e punës me Kostën, aty ku dhe kanë nisur një romancë jashtëmartesore.

Historia është zbuluar rreth 4 muaj më parë nga efektivi Erion Goxharra, ku kanë pasur edhe debate në familje, për të shpëtuar marrëdhënien. Policia ka ofruar shumën prej 10 mijë eurosh për çdo person që ka dijeni për vendndodhjen e efektivit Goxhara. Drejtori i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, i bëri dje thirrje Goxharës që të dorëzohej, ndërsa tha se ai ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike.