Gjykata lë në qeli me masën e sigurisë “arrest në burg” biznesmenin Dodë Rica, pronar i rrjetit të lokaleve të striptizmit në Shqipëri dhe Kosovë, “Club Shqiponja”, duke e cilësuar procedurën e ndalimit të tij si të ligjshme.

Por dosja për procesin e ekstradimit drejt Kosovës i ka kaluar për kompetencë Prokurorisë dhe Gjykatës së Tiranës, pasi 47-vjeçari me origjinë nga Mirdita figuron banues në Tiranë, teksa akuzohet për “trafikim të njerëzve në Kosovë”.

Gjykata e Prishtinës kishte caktuar më parë masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë dhe policia shqiptare e ekzekutoi në qytetin e Durrësit vendimin javën e kaluar. Aktualisht ai ndodhet në procedura hetimore dhe ekstradimi.

Arrestimi i Ricës u krye në Durrës, pas denoncimeve të disa balerinave, shqiptare dhe të huaja, të cilat kishin punuar më parë në një nga klubet e tij, në Prishtinë.

Ato e akuzojnë Ricën për trafikim të qenieve njerëzore dhe për sjelljen e tyre në mënyrë të jashtëligjshme për t’i punësuar në klubet e tij. Pas denoncimit, autoritetet kosovare informuan menjëherë homologët e Tiranës për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

Gjykata e Durrësit e ka vlerësuar masën ditën e djeshme (25 Gusht), teksa e konfirmoi ditën e sotme, sikurse edhe veprën penale të “trafikimit të njerëzve,” sipas Kodit Penal të Kosovës.

Ndërkohë, Gjykata e Durrësit shpalli veten jokompetente për këtë çështje dhe vendosi që aktet të dërgohen në Gjykatën e Tiranës, e cila është kompetente për gjykimin e rastit me qëllim ekstradimi.

Më herët, po me një vendim të veçantë, Gjykata urdhëroi Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve Tiranë, që të siguronte edhe shoqërimin e Ricës në varrimin e nënës së tij, në varrezat e Kombinatit, në kryeqytet.