Gazetarja Klodiana Lala ka qenë e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku ka folur për dy grupet kriminale Çopja dhe Alibej dhe luftën gjakatare mes tyre, duke treguar disa nga detajet më tronditëse.

“Franc dhe Hajdar Çopja patën përplasje shumë të ashpër me Endrit Alibejn, për shkak të një sasie shume të madhe droge që humbi në Britani. Rrihet dhe dhunohet barbarisht personi përgjegjës. Vëllezërit Çopja organizojnë masakrën e Bradasheshit, ku u ekzekutuan tre persona. Nis përplasja frontale mes dy grupeve. Erion Alibej fillon të mbledhë informacion.

Për të eliminuar Erion Alibej mendonin të ndikonin në sistemin e drejtësisë dhe polici, ta vrisnin brenda ambienteve të policisë, ofronin për kokën e tij 5 milionë euro.

Është nga hetimet më të rëndësishme, sa u përket grupeve kriminale.  Alibejt dhe Çopjat, dy grupimet më gjakatare që kam hasur vitet e fundit.

Ka një detaj, që Çopjat donin të rekrutonin zyrtarë të policisë për të kryer vrasjet. Ndërkohë kishin rekrutuar Talo Çelën që kishte grup vrasësish me pagesë”, tha Lala.