Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka ka paralajmëruar “radikalizmin” e aksionit të opozitës, duke nisur me protestën kombëtare të 6 tetorit.

Noka tha në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së PD-së, se aksioni opozitar do të vijojë edhe në parlament edhe në terren.

“Nuk ka më paqe për Edi Ramën dhe narko-qeverinë e tij”, tha Noka.

“Ky ishte një akt tjetër agresioni ndaj opozitës, pas vendimit për të burgosur politikisht liderin e opozitës, pas vendimit për të hetuar kreun e Partisë së Lirisë, pas vendimit për të hetuar kreun e Partisë Republikane, Edi Rama me të gjitha këto vendime ka treguar se është i vendosur t’i shpallë luftë opozitës.

PD ka vendosur që të përvijojë aksionin e saj data 6 do të jetë dita e parë e aksionit opozitar të vjeshtës. Ne nuk mund të rrimë duarkryq kur drejtësia e re vepron në shkelje të ligjeve të Kushtetutës, kur bëhet marionetë në duart e Edi Ramës dhe regjimit. Protesta është përshkallëzim, radikalizim, do të jemi në të gjitha akset dhe rrugët”, u shpreh Noka për gazetarët.