Azili privat ‘Joshua Center” në rrugën Ali Visha në Tiranë u përfshi nga flakët rreth mesnatës. Si pasojë e flakëve të moshuarit u bllokuan në ambientet e azilit dhe u nevojit ndihma e policisë për t’i shpëtuar.

Bëhet me dije se 4 të moshuar u lënduan dhe u dërguan në spital për të marrë ndihmë mjekësore, fatmirësisht tani janë jashtë rrezikut për jetën.

Sipas hetimeve paraprake dyshohet se zjarri u shkaktua nga një batanije elektrike.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe ato të Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në ndihmë të moshuarve të një azili, të cilët kishin mbetur të bllokuar, pasi kishte rënë zjarr.    

Më datë 05.10.2024, rreth orës 00:15, Policia ka marrë njoftim se në një azil në rrugën “Ali Visha”, kishte rënë zjarr dhe të moshuarit që akomodohen në ambientet e azilit, kishin mbetur të bllokuar.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, bashkë me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë dhe në bashkëpunim me shërbimin zjarrfikës, kanë evakuuar banorët dhe kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit.

Janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore 4 të moshuar, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe veprimet e para hetimore dyshohet se zjarri ka rënë aksidentalisht”, njofton policia.