Kompani të krijuara brenda ditës, një syresh krejtësisht “fantazma”, të tjera me adresa të njëjta, kryesisht apartamente të marra me qira, pronarë italianë që në Shqipëri gjenin “bashkëpunëtorë” të gatshëm për të tërhequr para në emër të tyre, është skema që krijuan një gusht njerëzish për të përfituar miliona euro nga të ashtuquajtura kompani Call- Center.

Skema u zbulua nga hetimet e bëra nga prokuroria e Tiranës pas sinjalizimeve të marra për transaksionet e dyshimta të kryera gjatë vitit 2019. Nëpërmjet 24 kompanive të hapura, grupi i “biznesmenëve” krijuan një evazion fiskal prej 5.8 milionë eurosh ndaj autoriteteve shqiptare.

Qytetarë të vendeve evropiane kontaktoheshin me telefon dhe bindeshin të investonin në kriptovaluta apo tregje fiktive të shfaqura përmes platformave të rreme online.

Në prill 2024, Gjykata e Tiranës shpalli fajtorë italianët e përfshirë dhe dënoi me 9 vite burg secilin, por të thënat tregojnë se asnjëri prej tyre nuk përfundoi në qeli.

Dokumentet tregojnë se në nisje të skemës së krimit të kompanive të italianëve të vendosur në shënjestër është përfshirë dhe një emër i njohur tashmë për drejtësinë, Amant Josifi.

Një hetim i OCCRP-së zbuloi se ish-këshilltari politik i Olta Xhaçkës bënte pjesë në grupin e kompanive të “Milton Group”, të cilat nëpërmjet qendrave call center mashtruan mijëra persona në Spanjë dhe vende të tjera të BE-së, duke përfituar përmes mashtrimit dhjetëra milionë euro. Gjetjet e gazetarëve u pasuan me hetimet të Europolit, dhe në tetor-nëntor 2022 Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK,  bastisi 6 qendra thirrjesh telefonike në Shqipëri të lidhura me ‘Milton Group’. U arrestuan 4 persona. Josifi nuk u gjet, por u shpall në kërkim nga autoritetet si i lidhur me kompanitë e përfshira në skemën mashtruese.

“Investitorët” italianë

Aparatura Të Qendrërs Call-Center Të Sekuestruara Nga Policia Në Tirane, Viti 2023
Credit: Policia e Shtetit

Mes vapës së fundgushtit 2018, dy 25-vjeçarë nga Tirana bien dakord t’i shesin kompaninë që zotëronin një italiani të quajtur Maurizio Giacalone, sipërmarrës i huaj që operonte prej pak vitesh në Shqipëri në fushën e telemarketingut dhe thirrjeve telefonike.

Përmes një kontrate të thjeshtë, Jusel Mici dhe Mendim Domi, për 100 lekë i shesin Giacalones kompaninë e krijuar 5 muaj më parë, “VibeMedia”. Pas kësaj, dy të rinjtë krijojnë edhe tetë kompani të tjera, objekti i të cilave ishte operimi “call center”. Në këtë “aktivitet” u përfshi edhe kushëriri 22-vjecar i Micit, Ismaili, me të cilët ndanin aksionet në katër kompani të telemarketingut.

Dy të rinjtë provuan edhe sektorin e ndërtimit: Mici në tregtimin e materialeve ndërtimore me “Edil Services” dhe Domi në ndërtim me kompaninë “N.M-09”.

Ata u shndërruan në biznesmenë, por hetimet e mëvonshme të prokurorisë zbuluan se ishin kooperuara e kompanive të krijuara nga shtetas italianë. Hetimi i vitit 2023 zbuloi se nga skema përfitoi direkt Giacalone dhe të paktën shtatë italianë të tjerë me origjinë apo rezidencë Palermon. Domi-Mici dhe “miqtë” e tyre italiane dyshohet se kanë hapur 24 kompani, kryesisht me fushë operimi tele-marketingun dhe thirrjet telefonike.

Përmes kompanive të hapura në Shqipëri, dyshohet se mashtronin qytetarë të vendeve të BE-së, të cilët kontaktoheshin me telefon dhe bindeshin të investonin në kriptovaluta apo tregje fiktive të shfaqura përmes platformave të rreme online. Pas investimeve, grupi shkëpuste kontaktet me klientët.

Vlerat monetare xhiroheshin në llogaritë e kompanive fiktive e më pas nxirreshin si para të thata nga administratorët e tyre. Grupi xhiroi rreth 5.8 milionë euro duke shmangur deklarimet tatimore ndaj autoriteteve shqiptare.

Shqiptarët e “mashtruar”

“Jam ndjerë i mashtruar nga këta shtetas, pasi në një moment fikën telefonat dhe shkëputën kontakt me mua. U zhdukën nga jeta ime në mënyrë të papritur,” ka rrëfyer Ismail Mici në një tjetër proces gjyqësor të zhvilluar në prill 2022 për një çështje të ngjashme ku përfshihej një tjetër grup italian. Ai pranoi përpara togave të zeza se ka tërhequr para nga bankat pas çdo telefonate që merrte nga “shefat”. Ai u angazhua në tërheqjen e mbi 1.5 milionë eurove pasi italianët i premtuan se do t’i rregullonin një vend pune me të ardhura të mira.

Mici dëshmon se nuk ka përftuar asgjë qindarkë dhe se paratë ia ka dorëzuar një italiani tjetër në Tiranë. “Çdo tërheqje ia dorëzoja Salvatores, (S.Solazzo, i dënuar dhe ky në mungesë me 5 vjet burg), nëpërmjet një personi me emrin Andrea, – tregon Mici duke e përshkruar marrësin e parave  si një djalë rreth 30-tave, 175cm të lartë, të cilin italianët e thërrisnin “Ekonomisti” . Sipas Micit, ai “lëvizte gjithmonë me laptop me vete”.

Të “punësuar” për llogari të kompanive italiane, veç Micit ka qenë dhe kushëriri i tij, Juseli, dhe miku i tyre Mendim Domi. Sot ata janë të vetmit që po përballen me drejtësinë dhe rrezikojnë të dënohen me burg.

Edhe pse nën akuzë për përfitimin e miliona eurove, një hetim pasuror ndaj tyre tregoi se ata posedonin një shtëpi në proces legalizimi prej 85 metrash katrorë në Vorë, dy apartamente familjare 62 dhe 72 metrash katrorë në Tiranë dhe dy vetura, një Volksvagen Passat i vitit 2006 dhe një Fiat Bravo me vlerë të përafërt 360 mijë lekë.

Mici dhe Domi nuk janë shqiptarët e vetëm që po përballen me drejtësinë shqiptare. Prej vitit 2021 autoritetet shqiptare kanë ndërmarrë më shumë se dhjetë operacione kundër skemave me “qendrat e thirrjeve telefonike”. Sipas raportimeve policore, janë rreth 170 persona të proceduar, pjesa kryesore administratorë apo punonjës si operatorë, programues apo “IT”.

Ilir Xhemalaj, kryetar i Sindikatës Kombëtare të Operatorëve Telefonikë (SKOT), beson se përfituesit e vërtetë të “fabrikave të mashtrimit” nuk janë përballur me drejtësinë.

“Kryesisht arrestimet e autoriteteve janë mjaftuar me punonjësit. Nuk kam parë të arrestohet ndonjë pronar… Për mua dhe për ne si sindikatë kjo pjesa e arrestimit dhe mbajtjes së punonjësve në masa të shtrënguara është e papranueshme,” thotë Xhemalaj.

Në fund të vitit 2022 autoritetet shqiptare, në koordinim me agjencitë e huaja, bastisën zyrat e disa “Call-Center”-ave me synim kapjen e një grupi prej 10 të dyshuarish për mashtrime kompjuterike.

Aksioni pati sukses të pjesshëm pasi 6 prej të kërkuarve nuk u gjendën në Shqipëri, ndërsa nga katër që u arrestuan, dy u kapën për llogari të autoriteteve spanjolle. Policia arrestoi programuesit Irisa Puca e Adrian Korriku dhe dy administratorët Bernardo Saraçaj dhe Erindi Pysqyli.

Sidoqoftë, operacioni bëri bujë pasi prej tij u përmend si i përfshirë dhe ish-këshilltari i qeverisë Rama, Amant Josifi, i dyshuar për lidhje me organizatën kriminale të ashtuquajtur “Milton Group”. Në shtator të vitit 2023 ai u ndalua në Emirate të Bashkuara Arabe për llogari të autoriteteve spanjolle dhe pritet të ekstradohet atje.

“Milton Group” mendohet se ka koordinuar veprimtarinë e dhjetëra “Call-Center”-ave mashtruese me bazë në Gjeorgji, Ukrainë, Letoni, Bosnjë-Hercegovinë, Bullgari, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, të cilat zhvatën mijëra evropianë me skema fiktive investimesh online prej dhjetëra milionë eurosh.

“Gjurmët” e Josifit

A Picture From Milton Group’s New Year’s Party In January. David Todua Is Highlighted At Left, And Amant Josifi At Right
Credit: Instagram – Amant Josifi, djathtas në foto, në një takim me përfaqësuesit e “Milton Goup”.

Kompanitë e krijuara nga Domi dhe Mici nuk ishin të vetmet që italiani Giacalone bleu në Shqipëri. Me vlera minimale transaksionesh, për rreth 10,000 lekë, ai zotëroi edhe tre kompani të tjera, pronarët e të cilëve duket se aso kishin pushtet në këtë treg.

Fillimisht Giacalone blen kompaninë “Verbal Contact Center”, aksionet e së cilës ishin blerë dhe shitur më herët nga Amant Josifi e më pas, kompaninë e bashkortakut të Amantit, të quajtur “AKE Italia”.

“Verbal Contact Center”  e themelua në janar të vitit 2013 nga Stefano Cusenza është vendosur nën sekuestro nga prokuroria.

Zyrat e kompanisë rezultojnë të regjistruara në katin e dytë të një ndërtese në Rrugën e Durrësit. Një vit pas krijimit, në maj të 2014-s, Stefano shet një pjesë të aksioneve tek një 26-vjeçar i quajtur  Amant Josifi. Pak vite më vonë, ish-ortaku i tij do të mbante detyrën e këshilltarit të ministrit të Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Një hetim i OCCRP-së zbuloi se Josifi ishte i përfshirë në atë që gazetarët e quajtën “Fabrika e mashtrimeve” të “Milton Group”.

Josifi ka mundur t’i shmanget përballjes me drejtësinë, por në maj të 2014-s djaloshi i kishte “letrat e pastra”. Për 4000 lekë blen 40% të aksioneve të kompanisë italianë për t’i rikthyer më vonë po me të njëjtën vlerë. Një muaj nga ky transaksion kompania shitet tek Maurizio Giacalone, me rezidencë edhe ky në Palermo.

Giacalone i ndryshon emrin kompanisë, e bashkë më këtë ndryshim zhduken dhe gjurmët e Josifit, por dokumentet tregojnë se transaksionet e “çuditshme” janë kryer në zyrën e noteres Natasha Xhaçka, nëna e Olta Xhaçkës. Natasha rezulton të ketë noterizuar rreth dhjetë raste të tjera sipërmarrjeje biznesi të Amant Josifit, por, sipas saj, veprimet ishin ligjore dhe “akte rutinë”.

“Të gjitha veprimet kanë qenë sipas ligjit”, deklaroi Natasha Xhaçka dhe premtoi se do të jepte përgjigje shteruese me email. Deri në botimin e këtij shkrimi Shteg nuk ka marrë asnjë koment prej saj.

Xhaçka rezulton të ketë asistuar për veprime ligjore edhe Pranvera Strakoshën, nënën e Amant Josifit, duke i përpiluar për të prokurën që caktoi Juliana Frahollin përfaqësuese të saj për veprime në QKB. Çuditërisht Juliana Fraholli rezulton përfaqësuese e kompanive që italiani Stefano Cusenza ka hapur në Shqipëri, e që më pas përfunduan tek Giacalone.

Hetimet gjyqësore zbuluan se kompanitë e Giacalones kishin transaksione të dyshimta, ndaj u vendosën në sekuestro nga prokuroria. Ndërsa kompanitë e zotëruara nga Cusenza u bënë seli për kompanitë fiktive që hapën italianët e tjerë të quajtur Luca Falsone dhe Davide Armanno në vitin 2018.

Apartamenti 12 i katit të 7-të të një qendre tregtare në rrugën “Muhamet Gjollesha” ishte qendër kursesh që zotërohej nga Cusenza në ortakëri me dy italianë të tjerë nga Palermo. Ky apartament u bë pak muaj më vonë adresë aktiviteti i katër kompanive që hapi Armanno në vitin 2018.

Në apartamentin 22 të së njëjtës qendër tregtare kishte aktivitetin kompania “Verbal Trade” e Cusenzas. Këtë adresë vendosi për aktivitet të tre kompanive të tij Falsone në vitin 2018, pak pasi Cusenza ia shiti Giuseppe Tortoricit, anëtar i grupit nga Palermo që u dënua nga drejtësia shqiptare.

Në prill 2024, Gjykata e Tiranës gjeti fajtor dhe urdhëroi dënimin në mungesë të Maurizio Giacalones dhe shtatë italianëve të tjerë, me nga 9 vite burg secilin. Ata kanë mundur t’i shpëtojnë autoriteteve dhe u shpallën në kërkim, ndërsa Domi dhe dy kushërinjtë Mici u arrestuan.

Të dhënat e transfertave bankare tregojnë se italianët përdorën administratorët shqiptarë të kompanive si Ismail Micin për të nxjerrë paratë nga llogaritë bankare të hapura në Shqipëri.

Hetimet ndaj tre të rinjve shqiptarë i kanë kaluar Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) nën dyshimin për lidhje me raste të tjera mashtrimi kompjuterik në këtë sektor.

Udhëkryqi i brezit të ri

Zyrat E Një Qendre Call-Center E Sekuestruar Nga Policia Në Durrës, Viti 2022.
Credit: Shteg

Kristiana Kolën e takojmë në radhë për të marrë shërbim në një nga të paktat banka që qëndrojnë hapur deri në orën 20:00 në Tiranë. Që kur mbaroi gjimnazin, ajo punon në sektorin e thirrjeve telefonike, ndërsa studimet për “Administrim dhe Politika Sociale” ka vendosur t’i ndërpresë për momentin.

Puna në Call Center i siguron Kristinës të ardhura të mira dhe se “kompanitë e mëdha ofrojnë kushte të kënaqshme, por nuk dallojnë nga pjesa tjetër kur vjen puna te bonuset apo pagesat e orëve shtesë. Në këtë pikë “të gjithë janë njësoj”. “Gjithmonë e gjejnë një mënyrë që mos të ta japin [bonusin],” tregon 23-vjeçarja.

Kristina arriti të zinte pozicionin “mbikëqyrëse sistemi” por kompania u mbyll befasisht pas raportimeve se drejtuesit kërkoheshin nga policia.

“Nuk po e merrnim vesh çfarë po ndodhte, po ndiqnim raportimet e mediave derisa dikush na tha që duhet të iknim në shtëpi,”  vijon rrëfimin Kristiana, e cila që pas asaj përvoje angazhohet në sindikatën Solidariteti, që advokon për të drejtat e operatorëve telefonikë.

Kristina beson se arsyet që shumë të rinj përshihen në kompanitë e Call-Centrave janë paratë.

“Të rinjtë ndalen dhe thonë: ‘Ok! Kam dëgjuar që bëhet shumë lekë, do ta mbaj këtë punë për pak sa për shlyerjen e ndonjë borxhi, por problemi është se ata ngecin, tërhiqen nga leku i shpejtë dhe më pas kjo [punë] iu pëlqen,” vijon ajo rrëfimin.

Në zyrat e bursave online puna përshkruhet tejet dinamike për agjentët “Retention”, të cilët në mënyrë që të jenë efektivë, trajnohen për të pasur “personalitet në komunikim”.

“Ky është kasapi si të thuash, pasi e bën [klientin] fërtele duke e nxitur të bëjë investime të mëdha,” – përshkruan rolin e “Retention”-it, Ilir Xhemalaj, kryetar i Sindikatës Kombëtare të Operatorëve Telefonikë (SKOT).

“Ata të thonë që duhet të gjesh ti mënyrën tënde [të të bindurit],” shpjegon Kristiana, sipas së cilës, pasi të rinjve nis t’ju pëlqejë puna, nuk njohin më kufi përballë qëllimeve për të arritur bonuset.

Përtej përfitimit, operatorët e “Call-Center”-ave përballen me kushte të vështira pune dhe orare të zgjatura.

“Një telefonatë çdo 30 sekonda… tani imagjino, 10 orë rresht, pastaj ta bësh 10-15 vjet këtë punë! Këtë kam bërë unë dhe kolegët e mi. Jemi shkatërruar nga sistemi nervor!” tregon Ilir Xhemalaj.

Shumica e kompanive, sipas tij, aplikojnë politikë rraskapitëse.

“Shpërblime të kufizuara për punët jashtë orarit dhe ndëshkime sistematike sa i përket vonesave”.

Përveç kësaj, puna e operatorëve nuk njihet me status të veçantë.  Puna në këtë sektor për një periudhë të gjatë i lë shumicën prej tyre  me probleme të dëgjimit, shikimit apo dhe ortopedike.

“Unë kam mbaruar në Sapienza për shkenca politike dhe qeverisje, kam dhe diplomë në të drejtë administrative, por në një kohë kur kam 10-15 vite punë si operator, vështirë të më besojë kush për punë juridike në të ardhmen, kur unë nuk ka mundur ta ushtroj plotësisht profesionin,” shpjegon Xhemalaj.Vende të ndryshme në Bashkimin Evropian, si për shembull: Italia, Gjermania apo Spanja, parashikojnë pensione të kënaqshme për profesione të caktuara.
Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, tregojnë se në viti 2016 ishin të regjistruara në këtë sektor 409 kompani me rreth 18,600 të punësuar, ndërsa në 2014-n rezultojnë të regjistruara  270 kompani me diçka më pak se 9,300 punonjës. /Erblin Vukaj-shteg.org