Janë zbardhur detaje nga dosja e SPAK për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Një nga akuzat e SPAK për ish-presidentin është favorizimi që i ka bërë pronarit të kompanisë DIA, Kastriot Ismailaj, për të krijuar kontakte me përfaqësuesit e CEZ Pragë dhe për të fituar besueshmëri para tyre si njeriu i besuar i qeverisë shqiptare. Sipas SPAK, kjo bëhej me qëllim që Ismailaj të merrte kontratën për mbledhjen e borxheve nëpërmjet DIA-s, siç rezultoi më pas.

“Nga të dhënat e hetimeve të kryera, ka rezultuar se shtetasi Ilir Meta ka favorizuar dhe mbështetur shtetasin Kastriot Ismailaj për të krijuar kontakte me përfaqësuesit e CEZ Pragë dhe, për më tepër, për të fituar besueshmëri para tyre si njeriu i besuar i qeverisë shqiptare.

Rrjedhimisht, ai ka qenë personi i favorizuar për të marrë kontratën për mbledhjen e borxheve nëpërmjet DIA-s, siç rezultoi më pas. Ky favorizim i shtetasit Kastriot Ismailaj rezulton se është kryer nga shtetasi Ilir Meta kundrejt kërkimit apo marrjes së një përfitimi të parregullt nga ana e shtetasit Kastriot Ismailaj” – thuhet në njoftimin e SPAK.

Në dosje theksohet se, ndonëse Ismailaj nuk mbante asnjë post publik, ai është prezantuar pranë autoriteteve çeke si pjesë e delegacionit që do të shoqëronte Ilir Metën gjatë vizitës së tij atje. Kjo vërtetohet edhe nga të dhënat e TIMS, ku Meta dhe Ismailaj kanë udhëtuar në të njëjtën datë për në Pragë. Ata kanë hyrë dhe dalë nga pika e kalimit kufitar Rinas, në të njëjtën datë dhe orë, në zonën “VIP” e cila është e destinuar vetëm për personalitete.

Pjesë nga dosja e SPAK:

Dokument fature prenotim hoteli, nga Anila Tours për MEDITERAN TRAVEL TOURS, datë 27 Nëntor 2010, Hotel BË Premier Royal Palace Hotel, Pragë, check-in 29 Nëntor 2010 dhe check-out 01 Dhjetor 2010, për Majlind Lazimi. Shtetasi Kastriot Ismailaj nuk ka pasur asnjë lloj posti zyrtar publik në këtë kohë, nuk ka qenë as këshilltar as ndihmës i asnjë ministri, ndërkohë sipas kësaj shkrese, është prezantuar pranë autoriteteve çeke si pjesë e delegacionit që do të shoqëronte shtetasin Ilir Meta gjatë vizitës së tij atje, sipas vetë shkresës së Ambasadës Shqiptare në Pragë.

LEXO  Ervin Salianji bën lëvizjen e radhës, dorëzon kërkesën për pezullimin e dënimit me 1 vit burg

Sa më sipër, organi i akuzës ka arritur në përfundimin se gjatë takimeve me përfaqësuesit e CEZ në Pragë të shtetasit Ilir Meta, ka qenë i pranishëm edhe shtetasi Kastriot Ismailaj. Ky fakt mbështetet edhe nga provat e tjera. Kështu, nga të dhënat e TIMS rezulton se:

Më datë 29.11.2010, me linjën ajrore Austrian Airlines OS847/848, ora 13:43, kanë dalë nga RSH si shtetasi Kastriot Ismailaj, ashtu edhe Ilir Rexhep Meta.

Më datë 02 Dhjetor 2010, me linjën ajrore “Malev MA432/433” Budapest, kanë hyrë në aeroportin e Rinasit shtetasit Kastriot Ismailaj, Ilir Rexhep Meta dhe Josef Hejsek. Një e dhënë tjetër që mbështet këto dyshime ishte fakti se në dalje dhe në hyrje në aeroportin e Rinasit, këta dy shtetas (Ilir Meta dhe Kastriot Ismailaj) janë përpunuar nga i njëjti punonjës i policisë kufitare të Komisariatit Rinas, i cili ka mbuluar me shërbim me turne zonën VIP (shih përgjigjen nr. 1933/1 Prot., datë 27 Tetor 2023 nga Komisariati i Policisë Kufitare Aeroporti Rinas).

Pra, shtetasit Ilir Meta dhe Kastriot Ismailaj kanë hyrë dhe dalë nga pika e kalimit kufitar Rinas, në të njëjtën datë dhe orë, në zonën “VIP” e cila është e destinuar vetëm për personalitete.

Nga të gjitha këto të dhëna, sipas organit të akuzës, arrihet në konkluzionin se udhëtimi i përbashkët me të njëjtën linjë ajrore i shtetasit Ilir Meta me shtetasin Kastriot Ismailaj, nuk ka qenë aspak rastësi, por i planifikuar, ku rol në këtë planifikim ka pasur edhe Ambasadori Shqiptar në Pragë, shtetasi Qazim Tepshi (shkresa e firmosur nga ai nr. 606/10 Prot., datë 18 Nëntor 2010).

Këto konkluzione mbështeten edhe nga deklarimi i shtetasit Ilir Ciko, i datës 23.07.2021, i cili ndër të tjera ka deklaruar se: “… Me sa më kujtohet ka qenë fundi i muajit Nëntor 2010, ku unë dhe ministri në atë kohë Ilir Meta kemi bërë një vizitë në Çeki ku ishin kryer disa takime dhe në axhendë ka qenë dhe është realizuar edhe një takim me përfaqësuesit e CEZ Group në Pragë dhe konkretisht me drejtuesit. Në këtë takim kemi marrë pjesë: Ilir Meta, ministër në atë kohë, këshilltari tjetër Majlind Lazimi, ambasadori ynë në Çeki i quajtur Qazim Tepshi, Kastriot Ismailaj si dhe unë”.

LEXO  Pas arrestimit të Jurgis Çyrbjas, Rama shmang komentin dhe fokusohet tek reforma e pensioneve

Gjithashtu, edhe shtetasi Sokol Hysenaj jep të dhëna me rëndësi kur ndër të tjera në deklarimin e tij shpjegon se: “… nga bisedat e shumta me ish-ambasadorin e Shqipërisë në Çeki, Qazim Tepshi, më ka thënë se: “-në një vizitë që ka kryer ish-ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës Ilir Meta në Çeki, ka qenë dhe Kastriot Ismailaj dhe vetë ish-ambasadori”. Qazim Tepshi më ka thënë se “-përveç problemit me CEZ, që kishte diskutuar në takimin që kishte qenë dhe ai si ambasador, Ilir Meta kishte bërë vizitë edhe në një central bërthamor në Çeki”./vna.al