Kryeministri Edi Rama ftoi në podkastin e tij “Flasim” dy ekspertë të prokurorimeve publike për të diskutuar se si ka ndryshuar Prokurorimi Publik pas zyrtarizimit të negociatave me BE-në. Ndërsa, ai ironizoi akuzat e Partisë Demokratike për korrupsion duke thënë se “iu ka lënë Zotin”.
“E di shumë mirë se shumica e mjekëve nuk e kushtëzojnë me lekë shërbimin e tyre siç thonë ‘të lënë të vdesësh po nuk u dhe lekët’, shumica dërrmuese e mësuesve patjetër. Mirëpo, kjo është situata, bota ku po jetojmë. Në këtë pikë ke të bësh me njeriun më të korruptuar që mund të ekzistojë, nuk e di çfarë të them, ose duhet të çmendesh, ose duhet ta bësh atë punë, ose vetëm duhet të mbyllësh veshët dhe të shohësh përpara dhe thua ‘ju kam lënë Zotin se nuk di çfarë të them më’”, tha Rama.
Më tej, Rama shtoi se është një krenari për të që qeveria arriti të çelë grupkapitujt e parë me Bashkimin Evropian. Ai shtoi se deri në vitin 2030 Shqipëria do të anëtarësohet në BE.
“Është bërë një lehtësim gjigant. Për çdo gjë duhej një mik, një e shkelur syri, një shtypje. Janë bërë 616,830 klikime në portalin digjital e-Albania. Kjo do të thotë shumë më pak hapësirë për korrupsion. Një tjetër gjë është që ne jemi përpjekur të shohim dhe ecim më para. Në fund të ditës vlerësohemi nga Komisioni Evropian. Duhet të jemi përpara atyre që kanë hapur negociatat më parë në prokurime dhe në disa gjëra të tjera. Për mua ka qenë një pikë e lartë krenarie pikërisht pika ku unë vuaja stresin që do të ishte një pikë e ulët energjie sepse thosha ‘tani u hapën, do fillojë diagnoza, ekografia, mamografia, i gjithë ai i kompleks analizash i gjithë trupi të vendit përpara se të fillojë negociata e drejtpërdrejt që nisi javën e shkuar dhe qe ata do të na zbërthejnë brinjët, si do ta përballojmë ne dhe a e kemi administratën për ta përballuar. Ky proces më ka dhënë krah dhe energji të rinovueshme për të besuar që do ta arrijmë majën e ëndrrën shumëvjeçare brenda dekadës, 2030 si afati final”, përfundoi Rama.