Pas tre muajsh udhëtimi, anija turke “Moliva”, ka mbërritur mëngjesin e sotëm në portin e Durrësit e ngarkuar me 2 100 ton mbetje toksike të Kurum International.
Anija u nis fillimisht nga Shqipëria me destinacion Tajlandën, por ngarkesa u refuzua nga autoritetet e këtij shteti për shkak të përmbajtjes së saj të dyshimtë.
Pas mbërritjes së kësaj anije, prokuroria e Durrësit ka lëshuar një vendim për sekuestrimin e këtyre kontejnerëve si pjesë e një procedimi penal.
Gazetarja e kronikës Glidiona Daci e ftuar në emisionin “Top Story” në Top Channel, u shpreh se cështja duhet t’i kalojë Prokurorisë së Posaçme.
“Do duhet të vendoset si do bëhet procedura e shkarkimit të kontejnerëve. Duhen parë dokumentet shoqëruese. Nga ana tjetër më shqetëson se mbetjet në Shqipëri prodhohen nga Kurum. Mendoj se çështja duhet të kalojë në Prokurorinë e Posaçme me në krye Ministrinë e Mjedisit, për të vënë përballë institucionet apo zyrtarët që kanë lejuar të dalin këto mbetje toksike. Po ashtu mungojnë një sërë dokumentesh, ka edhe falsifikime. A do arrijë Prokuroria e Durrësit ta sqarojë të amulli? Nëse Kurum prodhon mbetje toksike, ku shkojnë këto mbetje, pjesa tjetër ku janë?”, u shpreh gazetarja.