Flutura Basha është emri i radhës që shënohet në listën e gjatë të viktimave të pafajshme. Gruaja po udhëtonte me motor me bashkëshortin e saj në aksin Shkodër-Koplik, dhe në Dobraç, një automjet përplasi motorin me të cilin çifti po lëvizte. Automjetin e drejtonte Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit, një emër famëkeq i botës së krimit, në përplasje të forta me grupin kriminal Bajri. Lici mbeti viktimë, ndërsa bashkëudhëtari i tij, Arlind Bushati, djali i Xhemal Bushatit, një politikan lokal, është i plagosur rëndë. Flutura nuk mundi t’u mbijetonte plagëve.
Askush nuk e di me siguri se çfarë ka menduar ato pak sekonda kur dëgjoi breshëritë e armëve që derdheshin mbi automjetin që ecte përkrah motorit ku ajo po lëvizte me të shoqin. Në ato pak sekonda, Flutura mbylli sytë përjetësisht. Bashkëshorti i saj ndodhet rëndë në spital.
Atentati i Shkodrës duket se ishte i paralajmëruar, sepse Arlind Bushati kishte kërkuar ndihmë nga policia, pasi kishte deklaruar se i kërcënohej jeta. Askush nuk u kujtua të merrte masa për sigurinë e tij. E sot bilanci është edhe më tragjik. Flutura Basha është një tjetër viktimë e pafajshme, që vritet në përplasjen mes grupeve kriminale. Ashtu si dikur Mimoza Paja, e cila u qëllua teksa shërbente në lokalin ku punonte për të siguruar bukën e gojës.
Dihet ende pak për Fluturën, jetën apo hallet e saj. Por ama një gjë është e sigurt: ajo ishte e pafajshme. Dhe është një viktimë që do të bërtasë fort derisa të vihet drejtësi për të.