Atentati në Shkodër, ndërron jetë Arlind Bushati. Ai u qëllua sot në Dobtaç bashkë me Hamza Licin.
Viktimë mbeti Hamza Lici, i cili dyshohet se ishte dhe shënjestra e atentatit. Lici është vëllai i Ibrahim Licit, i cili është një emër i njohur në botën e krimit.
Në makinën tip “Benz” me të cilën udhëtonte Hamza Lici ndodhej edhe Arlind Bushati, i cili është qëlluar me plumb në kokë dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Bushati është djali i Xhemal Bushatit, ish-kandidatit për bashkinë e Shkodrës në vitin 2023 në listën e Lulzim Bashës.
Viktimë mbeti edhe Flutra Basha, kalimtare e rastit e cila po udhëtonte me bashkëshortin e saj Bashkim Basha me motomjet në momentin që ndodhi ngjajra. Shoferi i “Benzit” humbi kontrollin dhe përplasi motoçikletën e bashkëshortëve. Bashkim Basha mbeti i plagosur dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.
Kush është Ibrahim Lici
Ibrahim Lici akuzohet për vrasjen e Endri Mustafës në maj të vitit 2021.
Në 13 shkurt të këtij viti, ai u arrestua në Turqi, por disa javë më vonë ai u la i lirë nga autoritetet turke si pasojë e mungesës së marrëveshjes së ekstradimit drejt vendit tonë.
Hamzai, viktima e sotme, foli nga Turqia, duke thënë se i vëllai ishte i pafajshëm. Por konfliktet mes grupeve vijuan.
Akuzat ndaj Ibrahim Licit u ngritën pas dëshmisë së 15 vjeçarit, Ergys Malja. Fillimisht Malja, ka treguar se ishte ai që kishte nxjerrë nga shtëpia Endri Mustafën dhe së bashku ishin drejtuar në zonën e quajtur “Gropat e Eskavatorit”. Sipas 15-vjeçarit, papritur i ka dalë në rrugë, Ibrahim Lici me një motor, i cili e ka qëlluar me pistoletë, Endri Mustafën, duke e lënë të vdekur në vend. Ndërsa vetë i mituri Ergys Malja, ka treguar se është larguar me vrap duke mundur të shpëtojë.
Vetëm një javë pas krimit të rëndë, policia arrestoi Ergys Maljan si bashkëpunëtor në këtë vrasje. Fillimisht Malja, u dënua me 24 vite burgim nga gjykata e Shkodrës, por për shkak të moshës, dënimi i tij u reduktuar, duke u dënuar përfundimisht me 12 vjet heqje lirie.
Lici nga arratia ka mohuar të gjitha akuzat, madje ai ka pretenduar se ditën e ngjarjes ka qenë në Tiranë në shoqërinë e shokëve dhe një vajze.
31-vjeçari Ibrahim Lici është dhe i dyshuari kryesor i vrasjes së dy vëllezërve Bilali në Shkodër. Astrit dhe Brahim Bilali, më 30 mars 2019, u ekzekutuan me breshëri kallashnikovi në portën e shtëpisë. Ngjarja u hetua si përplasje mes bandave rivale në Shkodër.
Astrit Bilali, i cili mbetur i vdekur së bashku me të vëllanë e tij, është babai i Astmer Bilalit, ish kampionit të boksit i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër.