Policia e Shtetit ka shpallur një tender me vlerë totale rreth 8 milion lekë me TVSH me qëllim përmirësimin e infrastrukturës së përgjimit Ambiental si edhe të telefonave duke kërkuar nga kompanitë private që të ofrojnë mbështetje teknike për këto aparatura.
Loti I ka si objekt “Shërbim, suport teknik të Njësisë për Përgjim Ambiental”, ndërkohë që Loti II ka si objekt “Shërbimin e suportit teknik për pajisjen MSCAN”.
Siç mëson Gazeta Jonë, policia ofron edhe rreth 6 milion lekë për suportin teknik të pajisjes së famshme “Imsi Catcher”, e cila ndodhet prej disa vitesh në përdorim nga autoritetet tona. Një pajisje e ngjashme u tha se kishte nisur të përdorej ilegalisht nëpër rrugët kryesore të Tiranës gjatë periudhës 2011-2012 duke ngjallur mjaft frikë te politikanët dhe binzesmenët e mëdhenj.
Në atë kohë, kjo pajisje u ble nga Shërbimi Informativ i Ushtrisë, në një periudhë kur kryeministri i kohës nuk kishte edhe shumë besim të SHISH-i, ndërkohë që pati raportime në media se një pajisje e ngjashme u fut në mënyrë ilegale në vend dhe nisi përgjime masive të politikanëve dhe biznesmenëve të mëdhenj.
Si funksionon IMSI CATCHER
Telefonat celularë nuk e verifikojnë sinjalin që vjen nga një operator telefonik. Mjafton që sinjali të jetë i fortë dhe celulari lidhet automatikisht operatorin telefonik.
Ky fakt është shfrytëzuar nga shpikësit e pajisjes së përgjimit IMSI-Catcher që disponohet nga policia shqiptare dhe është në Tiranë.
Ajo vepron si një antenë false e telefonisë celulare dhe çdo telefon pranë saj mund të përgjohet në tekst dhe audio. Në shumë vende të botës përgjimi nga një pajisje e tillë ka shkaktuar debate për shkak të shkeljes së privatësisë dhe është pasur me hartimin e ligjeve të rrepta.
Jo të gjithë telefonat pranë pajisjes bëhen pjesë e përgjimit. Vetëm ato që përzgjidhen nga personat që e kontrollojnë pajisjen mund të përgjohen.
Mjafton që telefoni të jetë në gjendje pritjeje dhe që pajisja të jetë e lidhur me operatorin e duhur të telefonisë.
Më pas telefonatat audio dhe mesazhet janë të lehta për t’u përgjuar, por tek to nuk mund të ndërhyhet. Në shumë raste një celular nuk jep shenja se po përgjohet. Por disa prej tyre tregojnë një symbol në ekran.
Kjo varet edhe nga operatori përkatës i telefonisë celulare.
Aplikacioni në Android (AIMSICD) IMSI-Catcher Detector është i vlefshëm në Google play por jo gjithmonë efektiv. Vetë operatorët telefonikë, gjithashtu janë duke zhvilluar teknologjinë për të zbuluar përdorimin e një pajisjeje të tillë përgjimi. /Gazeta Jonë