Anija me mbetjet e rrezikshme të KURUM në Portin e Durrësit do të vijojë të qëndrojë në radë, ndërsa pritet që të nisin procedurat për ankorim në Port. Prokuroria e Durrësit ka dalë me një njoftim, ku sqaron se anija do qëndrojë në radë deri kur të sigurohet vendi i përshtatshëm për ankorim.
Në njoftim sqarohet se vonimi i sekuestros lidhet me kompleksitetin e çështjes, si volumi i sendeve objekt sekuestrimi, llojit të sendit dhe veçanërisht nevojës për të garantuar sigurinë mjedisore dhe fizike te tyre. Ndërkohë, deri në finalizimin e sekuestros për 102 konteinerët që dyshohet se mbartin mbetje të rrezikshme, anija do të monitorohet nga Policia e Shtetit.
Ndërkohë, Prokuroria thotë se analizat e lëndës së dyshuar të rrezikshme do të bëhen në laboratorë vendas dhe për këtë janë në diskutime Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave, Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, institucione të cilat do të vendosin në dispozicion laboratorë dhe ekspertë.
Gjithashtu, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, i është drejtuar disa institucioneve publike shqiptare, si Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave, Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, për të vendosur në dispozicion laboratorë dhe ekspertë për kryerjen e analizave të materialit që ndodhet në kontenierët objekt sekuestrimi.
Për shkak të interesit të lartë publik që mbart kjo çështje, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës do të vijojë të mbajë të informuar opinionin publik në lidhje me hapat e mëtejshëm”, njofton prokuroria.
Autoriteti Portual ende nuk e ka përcaktuar vendin se ku do të futet dhe qëndrojë anija “Moliva”. Më herët (31 Tetor), përgjigja e Autoritetit Portual për Prokurorinë kishte qenë se nuk dispononin kushtet për ankorimin e anijes, monitorimin e saj dhe çështjet e sigurisë për ambientet ku do vendoseshin kontejnerët.
Mbetje teknologjike të industrisë së uzinës së shkrirjes së çelikut të KURUM në Elbasan duhet të mbahen në vende të sigurta sipas urdhrit të Prokurorisë së Rrethit. Anija ndodhet 1,5 milje nga porti, në radën e jashtme.
Pritet të caktohet nëse anija do futet brenda kalatës së portit ku do krijohen kushtet për ruajtje, apo jashtë ambienteve të saj dhe në një magazinim të sigurt dhe mbikëqyrje me kamera.