Në botën e krimit të organizuar, njerëzit fshihen pas nofkave. Lordi meksikan i drogës Joaquín Guzmán e quante veten “El Chapo”; Raúl Hernández, “El Lucky”. Princ Dobroshi është “peshkaqeni”. Në një ditë të ngrohtë vjeshte, të hënën, 22 nëntor 2023, rreth orës 11.00, ai u shfaq para hetuesve.
Atë ditë, Princ Dobroshi po lëvizte me një fuoristradë nëpër rrugët periferike të Tiranës, kur efektivët e Policisë së Shtetit i prenë rrugën. Dobroshi doli jashtë dhe nuk bëri rezistencë.
Dobroshi kishte një urdhërarresti në Hamburg, pasi 60-vjeçari akuzohet për 11 raste të kontrabandës së kokainës, ose ndryshe dhjetra ton drogë që kanë zbarkuar në portin e Hamburgut. Drejtësia gjermane ndoqi gjurmët e Dobroshit për dy vite, më pas hetuesit shqiptarë ndërhynë për të dhënë ndihmë administrative.
Arrestimi i zotit të drogës është një nga kapjet më të mëdha nga sistemi i drejtësisë gjermane në vitet e fundit. Nga këndvështrimi i hetuesve është edhe një simbol që drejtësia gjermane ka nisur të depërtojë në rrjetet kriminale.
Të enjten e javës së kaluar, Dobroshi u ekstradua në Hamburg, duke shënuar edhe fundin e karrierës së tij kriminale. Vendi se ku do të strehohet derisa të dalë në gjyq do të mbahet i fshehtë, kjo sepse rreziku i arratisjes është shumë i madh. /GazetaJonë