Endi Sejdini, 25-vjeçari që ra në pranga si pjesë e grupit që kishin ngritur laboratorin e kokainës, rezulton të jetë pronari i shtëpisë ku përpunohej droga.

Sejdini kishte një biznes privat mobilerie në zonë dhe nuk rezulton të ketë pasur precedentë penalë apo rekorde kriminale të mëparshme.

Ai kishte në pronësi shtëpinë në Qerekë dhe një nga katet e saj e kthyen në laborator ku përpunohej kokaina.

Në pranga janë vënë edhe Artion Çaushllari, Geis Sejfullai, Klajdi Birçe, Aldi Zonja dhe Ismail Abdurrahmani. Të arrestuar kanë qenë edhe tre të huaj, që ishin ‘kimistët’ e grupit, Hiwlen Ledezma Narvaes nga Kolumbia, Joze Ramon Vasques nga Venezuela dhe Samuel Moreno nga Venezuela.

Sipas Prokurorisë së Posaçme në më shumë se 1 vit hetime është zbuluar se grupi bashkëpunonte me organizata kriminale në Amerikën Latine për të trafikuar drogë në Shqipëri.

Ndryshe nga droga e fshehur në fruta, kokaina e këtij grupi vinte e kamufluar në “lëkurë gjedhi të kriposur”.

Në Shqipëri përpunohej duke e kthyer në gjendjen e saj fillestare për ta transportuar më pas në vendet e Bashkimit Europian.