Mediat italiane kanë raportuar një rastin e një 37-vjeçari nga Barletta i cili ka pësuar probleme të rënda shëndetësore pasi iu nënshtrua një trajtimi në një klinikë dentare në Shqipëri ku hoqi 20 dhëmbë në të njëjtën ditë.

Në mes të marsit të këtij viti, Simone Del Vecchio, një web dizajner italian, vendosi të udhëtojë drejt Shqipërisë për një trajtime dentare. Kohët e fundit, në anën tjetër të Adriatikut kanë lulëzuar klinika të shumta që ofrojnë çmime konkurruese, duke tërhequr shumë italianë që kërkojnë shërbime shëndetësore me kosto më të ulët. Por, për Del Vecchio, kjo përvojë u kthye në një makth të vërtetë.

Sipas rrëfimit të vëllait të tij, Marco, për Corriere del Mezzogiorno, Simone iu nënshtrua një ndërhyrjeje të përbashkët për heqjen e të gjithë dhëmbëve dhe vendosjen e implanteve në të dyja nofullat, në të njëjtën ditë.

“I hoqën njëherazi njëzet dhëmbë. I administruan katër anestezi në mishin e dhëmbëve dhe një sedacion të lehtë të përgjithshëm pa ekzaminime paraprake, si dhe antibiotikë, anti-inflamatorë dhe qetësues. Pas trajtimit, që zgjati nga ora 14:00 deri në 18:00, u kthye në dhomën e tij në të njëjtën klinikë ku kishte bërë ndërhyrjen. Por Simone nuk arriti as të shkonte deri në dhomë; pas një gllënjke uji, gjendja e tij u përkeqësua dhe pësoi një arrest të parë kardiak, pas të cilit ndodhën edhe tre të tjerë.”

Që nga ajo ditë kanë kaluar më shumë se tetë muaj dhe 37-vjeçari ka qëndruar i shtruar në spital, fillimisht në Tiranë dhe më pas në Bari, në repartin e terapisë intensive.

“Ai ishte në ‘koma farmakologjike’ prej më shumë se një muaji. Vuan ende nga probleme me kujtesën afatshkurtër. Në fillim të qershorit, u transferua në repartin e Sëmundjeve Infektive për shkak të një infeksioni bakterial të rrezikshëm, candida auris, që shtyu më tej procesin e tij të rehabilitimit. Atje qëndroi deri më 27 shtator, kur vendosëm ta transferojmë në San Giovanni Rotondo, në ‘Casa Sollievo della Sofferenza’, ku ndodhet edhe sot. Ai është në rrezik mbytjeje për shkak të një stenozë trakeale që e pengon të pijë, hajë dhe të marrë frymë normalisht. Së shpejti pritet t’i nënshtrohet një operacioni tjetër”, rrëfen vëllai i tij