Policia e Tiranës ka arrestuar autorin e dyshuar të vrasjes së Martin Canit, ditën e djeshme jashtë ambienteve të shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në kryeqytet.
Martini, 14 vjeç u qëllua me thikë dhe goditja në zemër ishte fatale për të miturin. Në sherr u përfshinë disa adoleshentë, ndërsa kanë mbetur të plagosur Cani dhe dy adoleshentë të tjetër, mes tyre autori. Cani fatkeqësisht nuk ia doli.
“Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në rrugën “Qemal Stafa”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Personit arrestuan një të mitur 14 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, parashikuar nga nenet 79 pika a dhe 279 të Kodit Penal.
Ky shtetas, ditën e djeshme, në afërsi të shkollës “Fan Noli”, për motive të dobëta është konfliktuar me dy bashkëmoshatatët e tij dhe gjatë konfliktit i ka goditur ato me mjet prerës. Gjatë konfliktit janë dëmtuar të 3 të miturit.
Si pasojë e plagëve të marra njëri nga 14-vjeçarët ka ndërruar jetë në spital, ndërsa tjetri, së bashku me autorin e dyshuar ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Materialet i kaluan Prokurorisë”, njofton policia.