Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me atentatin me armë zjarri ndaj 30-vjeçarit, Klajdi Prendi, djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi.

Burimet mediatike bëjnë me dije se në atentat kanë marrë pjesë tre persona, ku njëri ka qenë shofer dhe dy të tjerë kanë pasur rolin e ekzekutorit.

Policia në informacionin zyrtar paraprak sqaron se Prendi, rreth 30 vjeç u qëllua me armë zjarri. I riu u transportua për në spital, por si pasojë e plagëve të marra ka ndërrur jetë.

Ndërkohë rreth orës 01:05, në afërsi të Liqenit të Farkës është konstatuar duke u djegur një mjet tip “Audi”, që dyshohet se i përket autorëve të ngjarjes.

DINAMIKA

Pak pas mesnate (19 nëntor) autorë ende të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri me silenciator në drejtim të të riut, Klajdi Prendi.

Mësohet se 30-vjeçari është mbajtur nën vëzhgim dhe monitorim nga autorët, të cilët kanë pritur momentin kur i riu është futur në automjetin e tij G-Class.

Sapo viktima është futur në makinë e kanë qëlluar me armë zjarri me silenciator. Drejt tij është qëlluar me 5 plumba.

30-vjeçari Prendi u transportua në spital në gjendje të rëndë për jetën, por si pasojë e plagëve të marra ai ka ndërruar jetë.

Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në bizneset dhe objektet pranë vendit të ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorëve.

Rreth 1 orë pas ngjarjes, një automjet me targa të huaja u gjet i djegur në zonën e Farkës. Dyshohet se makina i përket autorëve të atentatit ndaj 30-vjeçarit.

Ndërkohë policia dhe grupi hetimor po punojnë për zbardhjen e rrethanave të këtij atentati si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve. /gazetajonë