Tiranë – Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka deklaruar se është maksimalisht e angazhuar për zbardhjen e vrasjes së shtetasit Bujar Nasufi, një ngjarje kriminale e ndodhur ditët e fundit në kryeqytet.
Sipas Drejtorit të Policisë, Elton Alushi, hetimet po kryhen në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, duke përdorur metoda speciale të hetimit dhe duke shfrytëzuar inteligjencën policore për të zbardhur dhe dokumentuar ligjërisht këtë krim.
Gjatë punës hetimore, janë mbledhur dhe administruar prova shkencore dhe kompjuterike, të cilat po analizohen për të ndihmuar në përcaktimin e përgjegjësve të ngjarjes.
Zyrtarët e Policisë bënë me dije se hetimet janë komplekse dhe në dinamikë, duke përfshirë një sërë masash hetimore të avancuara. Pavarësisht progresit të deritanishëm, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme, për shkak të ndjeshmërisë së hetimit.
Drejtori i Policisë u shpreh se strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë janë të përkushtuara për të garantuar sigurinë dhe për të parandaluar ngjarje të tilla kriminale.
Ai apeloi qytetarët që të ndihmojnë Policinë, duke dhënë çdo informacion të vlefshëm për këtë rast apo për çdo paligjshmëri që ata konstatojnë.
Hetimet për vrasjen e Bujar Nasufit vijojnë me intensitet, ndërsa Policia mbetet e angazhuar për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje dhe kapjen e autorëve./gazetajonë